Thellim i bashkëpunimit në të gjitha fushat për ta çuar më përpara integrimin e Shqipërisë dhe Kosovës në Bashkimin Europian.
Kështu deklaroi ministrja e Integrimit Europian Klajda Gjosha rreth qëllimit të takimit me homologen e saj kosovare Vlora Çitaku.
“Kjo çfarë është arritur deri më tani nga Kosova dhe Shqipëria në procesin e integrimit vlen për t’u përgëzuar, por gjithashtu na shton përgjegjësitë për atë çfarë duhet të bëjmë në vijim. Me ministren ndamë miqësisht një sërë çështjesh të rëndësishme që lidhen ngushtë me prioritetet, reformat dhe intensifikimin e marrëdhënieve mes dy strukturave të vendeve. Mbledhja e përbashkët e dy qeverive e cila do të organizohet së shpejti në Prizren, është dëshmi e qartë për hyrjen në një epokë të re të bashkëpunimit maksimal për interesat e përbashkëta strategjike”, tha Gjoshaj.
Ministrja Çitaku, e cila ndodhet për një vizitë në Tiranë u ndal në rëndësinë që merr mbledhja e pritshme e dy qeverive në Kosovë. Gjithashtu ajo foli edhe për disa aspekte të shtrirjes së bashkëpunimit midis Ministrisë shqiptare të Integrimit dhe asaj në Kosovë.
“E vërteta është që relacionet mes Kosovës dhe Shqipërisë kanë evoluar vitet e fundit dhe tanimë me organizimin e mbledhjeve të përbashkëta të dy qeverive edhe me arritjen e një partneriteti strategjik, ky relacion merr një trajtë më të strukturuar. Kemi disa pika të cilat do t’i adresojmë bashkarisht si përkthimi AKI-s, përafrimi i legjislacionit dhe projektet e përbashkëta ndërkufitare. Kufijtë nuk janë aty më për të na ndarë, kufijtë janë aty për të na bashkuar”, tha Çitaku.
Top Channel e pyeti ministren Çitaku, se cilat janë pritshmëritë e Kosovës nga BE-ja për sa i përket liberalizmit të vizave.
“Jemi pak të zhgënjyer me dinamikat në Bruksel. Në këto 22 muajsh kemi patur vetëm një mision vlerësues nga ana e BE-s. Në fund të muajt nëntor përkatësisht në fillim të muajit dhjetor presim misionin e dytë vlerësues. Bazuar në punët që kemi bërë presim që rekomandimet të misionit të jenë pozitive”, u shpreh Çitaku.
Top Channel