Sherr me babanë për të dashurin, tenton vetëvrasjen

05/11/2013 00:00

Dashuronte një djalë dhe babai nuk e pranonte lidhjen mes të rinjve,
25-vjeçarja tenton të hidhet nga kati i 7 i një pallati shumëkatësh.

Ngjarja ka ndodhur në zonën e njohur si “Don Bosko”, në Tiranë. Vajza është shpëtuar falë ndërhyrjes së shpejtë të uniformave blu. Burime nga policia e kryeqytetit bëjnë me dije se vajza me inicialet Fatmira N., prej kohësh ishte njohur me një djalë dhe kërkonte që me të dashurin të ndërtonte familjen.

Ajo e ka cilësuar marrëdhënien mjaft normale, por në momentin që prindërit e kanë marrë vesh, në familje kanë filluar problemet. Babai i vajzës i ka kërkuar që Fatmira të ndahej nga i dashuri i saj, por ajo nuk pranonte. Mosrespektimi i dëshirës së babait, ka sjellë probleme mes tyre. Ata grindeshin sa herë që hapej biseda për të dashurin e 25-vjeçares.

E njëjta gjë ka ndodhur dhe nje dite me pare. Vajza dhe babai janë zënë për orë të tëra. Situata është tensionuar shumë mes të dyve. E reja ka kaluar në gjendje depresive dhe si rrugëzgjidhje të vetme ka gjetur vetëvrasjen. Ajo ka hyrë në njërën prej dhomave të apartamentit dhe e ka mbyllur derën me çelës.

Më pas ka dalë në ballkon dhe para se të kryente aktin final, ka marrë të atin në telefon, për ta njoftuar për vendimin fatal. Në këtë moment babai i vajzës i është lutur që të mos e bëjë një gjë të tillë, por ka qenë e kotë. Ajo nuk bindej.

Babai tepër i tmerruar ka marrë në telefon policinë, për të kërkuar ndihmë. Menjëherë pas marrjes së informacionit, në vendin e ngjarjes kanë shkuar forca të shumta policie, mes tyre edhe shefi i Komisariatit Nr 3. Ngjarja ka shkaktuar panik tek banorët e zonës. Ata e kanë ndjekur të gjithë skenën e negociatave mes vajzës, policisë dhe të atit.

Eksperienca në repartin special RENEA, duket se i ka shërbyer shefit të Komisariatit numër 3, të zbresë me litar nga tarraca dhe të hyjë nga ballkoni brenda banesës që ishte mbyllur prej 25-vjeçares. Ai ka mundur që të shpëtojë vajzën dhe më pas e ka shoqëruar në rajon. Nën kujdesin e një psikologeje, 25-vjeçarja ka dhënë edhe arsyet e tentativës së vetëvrasjes. Ajo ka thënë se situata në familje ishte bërë e padurueshme, pasi babai vazhdimisht kërkonte që ajo të ndahej nga i dashuri, të cilin e dashuronte marrëzisht. Ndërkaq edhe prindërit e vajzës janë marrë në pyetje policia. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes, e cila për pak sa nuk përfundoi në tragjedi.

Top Channel