Krimi Ekonomik, jepen masat për 38 policë

03/11/2013 00:00

Pas shqyrtimit dhe verifikimit të shkeljeve të punonjësve të policisë, në sektorin kundër Krimit Ekonomik, u dhanë masa të rënda për 21 prej tyre dhe masa të lehta për 17 të tjerë, për shkak të mos reagimit ndaj fenomenit të kazinove të palicencuara.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë përfundoi verifikimet për 80 punonjësit e këtij sektori, që u shkri pak ditë më parë nga ministri i Brendshëm.

Në përfundim të analizës së bërë rezultuan mangësi në grumbullimin e informacioneve policore, mangësi në dosjet përkatëse për këtë aktivitet të paligjshëm, mungesë shkëmbimi informacioni  me agjencitë e tjera ligjzbatuese, në funksion të goditjes së veprimtarisë së paligjshme të lojrave të fatit.

Për 21 punonjës u dha masa “përjashtim nga Policia e Shtetit”, “ulje në gradë për një vit”, “pezullim pa pagesë”, “shtyrje e afatit të gradimit për 1 vit”. Ndërkohë që për 17 të tjerë u dhanë masa më të lehta “vërejtje me paralajmërim” dhe “gjobë sa paga e punonjësit në 5 ditë pune”.

Top Channel