Irani, ndihmë Arabisë për rajonin

03/11/2013 00:00

Ministri i Jashtëm iranian ka bërë apel ndaj vendeve të Gjirit Arab, për të tejkaluar diferencat mes tyre dhe për të punuar së bashku për stabilitetin e rajonit, si dhe për të gjetur një zgjidhje për krizën siriane.

Duke folur për një program të “Al Jazeera”-s, i cili do të transmetohet të enjten, Mohammad Javad Zarif tha se të gjithë vendet e rajonit kanë nevojë për të shkuar përtej përçarjeve sektare, të cilat nuk janë gjë tjetër veçse kërcënime për dhunë dhe ekstremizëm, veçanërisht Siria.

“Duhet të punojmë të gjithë për t’i dhënë fund dhunës, për të gjetur zgjidhje politike që do t’i jepte fund kësaj tragjedie, që është diçka e turpshme si për sunitet dhe për shiitët”, tha Zarif, i cili gjendej në Doha të Katarit, si pjesë e një turi në shtetet e Gjirit Arabik.

“Ky është një turp për të gjithë botën islamike, për të gjithë rajonin tonë. Duhet të arrijmë të kuptojmë se këto lloj përçarjesh nuk ndihmojnë aspak në zgjidhjen e problemeve”.

Pasi vizitoi Kuvajtin dhe Omanin për takime zyrtare mbi marrëveshjen e fundit bërthamore me fuqitë botërore, Zarif tha në Doha se objektivi i tij ishte t’u siguronte shteteve të Gjirit se marrëveshja e nënshkruar në Gjenevë ishte në interesin më të mirë të të gjithëve.

Ai shtoi se kishte besim mbi mundësinë e një marrëveshjeje përfundimtare me Perëndimin, sa i takon programit bërthamor, por për t’u arritur kjo do të duhet besim dhe dëshira e mirë.

Sanksionet nuk kanë mundur të kenë një impakt në programin e pasurimit bërthamor të vendit të tij, apo në produktivitetin e mjeteve të centrifugimit, theksoi Zarif.

“Produkti neto i sanksioneve ka qenë rreth 18800 centrifuga, që janë shtuar në stokun e Iranit”, tha ai.

Gjithsesi, Jen Psaki, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, tha se nuk ka asnjë dyshim që sanksionet kanë pasur impaktin e tyre në ekonominë e Iranit. “Nuk e kemi vënë në diskutim faktin që Irani ka bërë progres në pasurimin dhe zhvillimin”, tha ajo nga Uashingtoni, të hënën. “Kjo është arsyeja, pse hoqëm dorë nga një pjesë e tyre”.

Marrëveshja bërthamore e Iranit, që u arrit në Zvicër më 24 nëntor, u mirëprit nga shtetet e Gjirit Arabik të drejtuar nga sunitët, të cilët kanë qenë të shqetësuar prej kohësh në lidhje me ambiciet rajonale të Iranit.

Por, qeveria saudite reagoi kujdesshëm, duke thënë se marrëveshja mund të shënojë hapin e parë drejt një zgjidhjeje gjithpërfshirëse për programin bërthamor të Iranit.

Zarif shprehu besimin se mund të vizitojë së shpejti Arabinë Saudite, ashtu si dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ministri i Jashtëm i të cilëve njoftoi gjatë vizitës së javës së kaluar në Teheran se qeveria e tij është e gatshme të krijojë një komision të përbashkët ekonomik me Iranin.

“Jam gati të shkoj në Arabinë Saudite, por është thjesht një çështje e gjetjes së një kohe të përshtatshme për të dyja palët. Shpresoj ta vizitoj së shpejti atë vend”, tha Zarif.

Top Channel