“Snowden kërkon të dëshmojë në SHBA”

02/11/2013 00:00

Ligjvënësi gjerman, Hans-Christian Ströbele, i cili takoi Edward Snowden në Moskë gjatë së enjtes, tha ditën e premte se informatori i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, u vetofrua për të dëshmuar përpara Kongresit amerikan.

“Ai nuk u prezantua si një armik i Amerikës, madje ndodhi e kundërta”, tha pjesëtari i parlamentit gjerman, duke folur para reporterëve në Berlin gjatë së premtes.

Ströbele tha se i kishte sugjeruar Snowden-it të dëshmonte përpara ligjvënësve gjermanë, ndërkohë që ish-kontraktori i NSA-së i ishte përgjigjur se, faktikisht, ai dëshiron të dëshmojë në Washington.

Snowden tha se mund të shkonte në Gjermani, nëse do të ketë garanci se mund të qëndrojë në një vend të sigurt pas dëshmisë, pa u deportuar në Shtetet e Bashkuara – bëri të ditur Ströbele, një ligjvënës i njohur i majtë në Gjermani.

Gjithsesi, avokati i Snowden, Anatoly Kucherena, tha për reporterët në Moskë se klienti i tij nuk mundet të largohet nga Rusia për të dëshmuar mbi akuzat e spiunazhit nga Amerika. Kucherena tha se do të këshillonte Snowden të mos dëshmonte, nëse e gjitha kjo nuk do të ishte në interesin më të mirë të klientit të tij.

Snowden ndodhet në Moskë që prej qershorit, kur mbërriti atje nga Hong Kongu. Në gusht, pasi kishte kaluar rreth 5 javë i fshehur në aeroportin ndërkombëtar Sheremetyevo të Moskës, Rusia i ofroi atij azil për 1 vit.

Ströbele u kthye nga takimi me Snowden të enjten, së bashku me një letër nga informatori i NSA-së për autoritetet gjermane, e cila u shpërnda nëpër media.

Në letër, Snowden thotë se “ai dëshiron të flasë” me autoritetet gjermane në Gjermani, “kur situata të ndryshojë”, duke iu referuar përpjekjeve aktuale të Shteteve të Bashkuara për ta ekstraduar atë.

Snowden shkroi gjithashtu se “ai ishte inkurajuar nga përgjigja ndaj aktit tim të të shprehurit politik, si në SHBA dhe përtej tyre”.

“Qytetarët në botë, ashtu si dhe zyrtarët e lartë – përfshi këtu ata në SHBA – kanë gjykuar zbulimin e një sistemi të papërgjegjshëm të survejimit të përhapur, të jetë një shërbim publik”. Përfitimet e kësaj njohurie për shoqërinë po bëhen gjithnjë e më të mëdha dhe të qarta, ndërkohë që “rreziqet e pretenduara po duket qartë se kanë qenë të minimizuara”, shtoi ai.

Ströbele tha se nuk kishte dijeni, nëse Snowden u kishte dërguar një letër të ngjashme edhe ndaj qeverive të tjera në Amerikën Latine apo diku tjetër. Shtetet e Bashkuara e akuzojnë Snowden për spiunazh dhe vjedhje të pronës qeveritare.

30-vjeçari mblodhi informacione të programeve të spiunazhit, me anë të të cilave NSA përgjonte telefonatat dhe të dhënat e internetit për mijëra persona brenda dhe jashtë SHBA-ve, dhe i ekspozoi ato ndaj mediave, duke nxitur irritime brenda dhe jashtë vendit të tij.

Snowden “është një dëshmitar i rëndësishëm për Gjermaninë”, tha Ströbele. Por, i pyetur nëse Snowden do të mund të dëshmojë për autoritetet gjermane nëpërmjet një videokonference nga Moska, Ströbele tha se kjo gjë mund të ishte problematike për disa arsye.

Ai tha se Snowden do të ishte më i kufizuar në ato që do të mund të thoshte, nëse do të ndodhej në Moskë, se sa nëse do të ndodhej në Gjermani. Për sa kohë që Snowden ka përfituar azil në Rusi, ai duhet të shmangë veprime, të cilat do të ndikonin negativisht statusin e tij atje, tha ligjvënësi gjerman.

Në përmbyllje të fjalimit të tij, Ströbele tha që, pavarësisht se SHBA-të besojnë se Snowden ka kryer një shkelje serioze, ai vet beson se informatori nuk duhet të penalizohet, sepse zbulimet e tij i dhanë përfitime botës.

Ströbele tha gjithashtu se Snowden, i cili do të niste një punë të re në Rusi gjatë së premtes, ishte në gjendje të mirë shëndetësore. Kucherena tha për CNN se puna e tij kishte të bënte me një uebsajt të fuqishëm rus, por refuzoi të jepte emrin e punëdhënësit për arsye sigurie. Ndërsa për “RIA Novosti”, ai tha se Snowden do të punojë si mirëmbajtës i faqes së internetit.

“Nëse Snowden dëshiron vullnetarisht që të na japë informacion, atëherë e
pranojmë me kënaqësi diçka të tillë”, deklaroi ministri i Brendshëm
gjerman, Hans-Peter Friedrich.

Qëllimi i Berlinit për të biseduar më thellësisht mbi çështjen e përgjimeve me Snowden vjen në të njëjtën ditë në të cilën Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, pranoi se spiunazhi amerikan, në disa raste ka shkuar përtej kufijve të lejuar ligjorë.

Kerry premtoi se do të punojë së bashku me presidentin Barack Obama për të ndaluar veprime të tjera të “papërshtatshme” nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare (National Security Agency).

Top Channel