Fadromat e Inspektoriatit të Ndërtimit nuk e ndalën në asnjë moment punën deri në orën 17:00, në shkatërrimin e objekteve pa leje në qytetin e Vlorës.

Paradite fadromat prishën gjashtë lokale në Plazhin e Ri dhe më pas operacioni vazhdoi edhe në pjesën shkëmbore, ku u rrafshuan edhe tre godina të tjera, të cilat shërbenin si lokale.

Ndërtesa e fundit që u prish ishte lokali ngjitur me pallatin e shumëpërfolur të vjehrrit të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.

Me pallatin në fjalë nuk dihet ende se çfarë do të ndodhë deri në fund të aksionit të INUK-ut.

Korrespondenti ynë në Vlorë, Mikel Marsi, raportoi se operacioni do të vazhdojë edhe nesër, me shembjen e tri godinave, 2 dhe 3-katëshe, pronarët e të cilave u është lënë afat për të hequr objektet brenda ambienteve.

Në mbështetje të Inspektoriatit të Ndërtimit shkuan edhe forcat e shumta policore, si FNSH, Delta Force apo Policia e Rendit e Vlorës, të cilat nuk lejuan që të ndodhë asnjë incident.

Situata deri në mbrëmje ka qenë e qetë dhe ato godina që do të prishen të dielën po vijojnë të zbrazen prej pronarëve të tyre.

Top Channel