Conte: Kujdes Parmën. Roma na frymëzon

01/11/2013 00:00

Rruga e Juventusit për të ngushtuar diferencën me kryesuesit e Romës këtë javë kalon nga Parma, një sfidë e vështirë për bardhezinjtë që në dy takimet e fundit në Tardini kanë dalë me vetëm një pikë.

Për këtë trajneri Antonio Conte kërkoi përqendrim nga lojtarët për të shfrytëzuar në maksimum mundësitë e dhëna dhe për të mos i lejuar kundërshtarit hapësira pas. Lidhur me rekordin e Romës, Conte thotë se verdhekuqtë po zhvillojnë një kampionat të jashtëzakonshëm dhe frymëzues.

“Roma është duke zhvilluar një kampionat të jashtëzakonshëm. Për herë të parë ndodhemi në ndjekje të kryesuesit. Roma na frymëzon për të arritur maksimumin ndeshje pas ndeshje”, thotë trajneri bardhezi.

Lidhur me formacionin që do të zbresë në fushë të shtunën në Tardini, Conte thotë se do të ketë rotacion, por nuk pranon të përmendë emra. Por sipas mediave italiane, me shumë gjasa në stol do të ulet Pirlo dhe njëri mes Tevez dhe Llorente, që do t’i lërë vend në sulm Giovinco-s dhe të rikthyerit Qualgliarella.

Pirlo do të lihet të pushojë për të qenë në formën më të mirë të martën në ndeshjen ndaj Realit të Madridit në Torino, ku Juventusit i duhet me patjetër fitorja për të mos i dhënë lamtumirë para kohe Ligës së Kampioneve, ndërsa të dielën më 10 nëntor e pret një tjetër sfidë e vështirë, ajo ndaj Napolit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB