
CSKA e Moskës do të luajë ndeshjen e radhës së Ligës së Kampioneve pjesërisht me dyer të mbyllura. Ky është vendimi i marrë nga UEFA pas hetimeve të kryera për koret raciste që tifozët rusë lëshuan në drejtim të Jaja Ture në ndeshjen e zhvilluar me Mancester Sitin.
Në një komunikatë për shtyp të publikuar edhe në faqen e saj zyrtare të internetit, UEFA urdhëroi mbylljen e sektorit D të stadiumit Arena Khimki në sfidën që CSKA do të luajë me Bajernin e Mynihut në 27 nëntor. Ishte vetë futbollisti nga Bregu i Fildishtë ai që bëri denoncimin për koret raciste të dëgjuara në shkallët e stadiumit moskovit. Madje Ture’ arriti deri në atë pikë sa propozoi që futbollistët me ngjyrë të bojkotojnë Botërorin e vitit 2018 që do të zhvillohet pikërisht në Rusi.
Sipas rregullores së UEFA të vendosur këtë sezon, mbyllja e pjesshme e stadiumit është dënimi minimal në rast se vërehen sjellje raciste. Nëse ka përsëritje të fenomenit, stadiumi mbyllet plotësisht për ndeshjen e radhës europiane dhe klubi gjobitet me 50 mijë Euro. Në rast se janë lojtarët apo zyrtarët e klubeve, ata që shfaqin racizmin në fushë, ata dënohen minimalisht me 10 ndeshje pezullim.
Ndërkaq, dhuna në futbollin rus është shfaqur sërish. Në ndeshjen e Kupës së Rusisë mes Jaroslav dhe Spartakut të Moskës, tifozët e të dyja skuadrave u përplasën me njëri-tjetrin duke hedhur edhe sende të forta në fushën e lojës duke detyruar arbitrin të ndërpresë ndeshjen për 1 orë. Policia ndërhyri dhe tentoi që të shpërndajë turmën, ndërkohë që vuri në pranga 30 persona.
Top Channel