Kaka’: Jam sërish i lumtur

31/10/2013 00:00

Kaka’ është rikthyer! Milani nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 me Lazion në San Siro, por lajmi i mirë është se ka rigjetur brazilianin, i cili shënoi një gol të mrekullueshëm duke i rikthyer tifozëve kujtimet e lojtarit që fitoi Topin e Artë.

Kaka’ goditi me të djathtën në hyrje të zonës dhe e dërgoi topin në trekëndësh. Ky ishte goli i parë me fanellën kuqezi pas 4 vitesh e gjysmë.

Pas ndeshjes, braziliani deklaroi: “Falenderoj Milanin për mundësinë e dytë që më dha. Po përmirësohem dhe do të mundohem të bëj një sezon të mirë deri në fund sepse dua të luaj Botërorin e Brazilit.”

Kaka’ pranon se duhet të jetë një shembull për lojtarët e tjerë të Milanit: “Kur erdha herën e parë isha 21 vjeç dhe mësoja nga lojtarët më të vjetër. Tani jam 31 dhe e kam të qartë që janë të rinjtë që duhet të mësojnë prej meje. Jam i lumtur ta marr përsipër këtë përgjegjësi. Milani më ka kthyer gëzimin e të luajturit futboll.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB