Përkrah Sebastian Vettel dhe Lewis Hamilton, në një konferencë të përbashkët për shtyp të kryesuesve të renditjes botërore në Yas Marina, Abu Dhabi, Fernando Alonso theksoi se marrëdhënia e tij me Ferrarin nuk është dëmtuar aspak nga pamundësia për të fituar titullin që i mungon pilotit spanjoll që prej vitit 2007.
“Është e çuditshme se si çdo fundjavë vjen e njëjta pyetje në çdo konferencë për shtyp. Përsëri, ju them se marrëdhënia ime me Ferrarin ka qenë, është dhe do të jetë e shkëlqyer”, komentoi Alonso.
I pyetur për shokun e tij të skuadrës në sezonin e ardhshëm, Kimi Raikkonen, Fernando pranoi se “bëhet fjalë për një pilot të madh dhe jashtëzakonisht të talentuar. Shpresoj që së bashku të jemi në gjendje të bëjmë gjëra të mëdha për Ferrarin”.
Përsa i përket rezultateve, Fernando pranoi se “këtë vit nuk realizuam objektivin që i vendosëm vetes në fillim të sezonit, i cili ishte fitimi i titullit apo të paktën që të ishim në luftë për të deri në fund. Tashmë, në tre garat e mbetura na mbetet të luftojmë për vendin tim të dytë në renditje dhe të dytin për Ferrari në klasifikimin e konstruktorëve”.
Top Channel