Moshat e reja, bazë për kombëtaren

30/10/2013 00:50

Rinovimi i kombëtares shqiptare të futbollit këto vitet e fundit është një proces, që duhet ta ketë zanafillën te përfaqësueset e moshave.

Kombëtarja U17, e cila u kualifikua sërish para pak ditësh për në “Elite Round”, është shembulli i suksesit të një pune që bëhet jo vetëm në fushën e gjelbërt, por edhe jashtë saj.

“Nuk është kollaj për të përzgjedhur gjithë këta fëmijë, që ne marrim nëpër ekipe. Mos mendoni se është një buxhet i stërmadh, ne kemi një buxhet të vogël. I thërrasim nëpër testime dhe seleksionime, vijnë një pjesë por jo të gjithë. Dihet që një pjesë e rëndësishme janë edhe fëmijët këtu brenda Shqipërisë. Është rritur puna me ta këtu brenda, është rritur mënyra e përzgjedhjes së tyre edhe me përfaqësues rajonalë, edhe nga vet trajnerët që kanë bërë një punë shumë të mirë gjatë këtyre 3 vjetëve. Unë me këtë jam i kënaqur, që ne shkojmë çdo vit me shpresa për kualifikim, duke rritur dalëngadalë edhe vizionin e politikat tona në raport me kundërshtarët dhe të tjerët”, tha Redi Jupi, shef i zyrës së zbulimit të talenteve në FSHF.

Jupi thekson gjithashtu se dera e kombëtareve kuqezi mbetet e hapur për të gjithë ata futbollistë, të cilët mendojnë se janë lënë në harresë nga trajnerët e moshave.

“Është një proces që nuk mbaron këtu. Ne i përfshijmë në U17, ata mund të jenë pjesë e U19 apo U21 më mbrapa, apo të luajnë në kombëtare. Ne kemi lojtarë të famshëm shqiptarë, Altin Haxhi për shembull, i cili nuk ka qenë asnjëherë në kombëtaret e moshave dhe është përfaqësuar direkt në ekipin A”, shtoi Jupi.

Përveç lojtarëve të moshave, kjo zyrë bën edhe evidentimin e futbollistëve, të cilët mund të rrisin kualitetin e kombëtares A.

“Herë pas herë lojtarë dalin, siç është Januzaj, siç është Ismail Zelli me Wolverhampton, i cili për momentin nuk pranon, siç është Ilir Azemi, i cili nuk pranon, Orhan Ademi etj. Janë disa emra. Është shumë kollaj për t’i evidentuar dhe për t’i thirrur këta lojtarë, këtu nuk është se ka ndonjë neglizhim nga ana jonë. Problemi është se me to nuk ka negociata, nuk mund të kërkosh të bisedosh gjatë. Këtu ka vetëm kërkesa dhe lutje nga ana jonë, por duhet të kihet parasysh që ky nuk është një klub sportiv, por kombëtare, nuk është ndonjë kompeticion ku do të mund të rivalizojmë me dikë tjetër, për të ofruar një shumë më të madhe ose një më të vogël”, përfundoi Jupi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA