F1, Ecclestone bëri “marrëveshje korruptive”

30/10/2013 03:50

Bosi i Formula 1, Bernie Ecclestone, ka bërë një “marrëveshje korruptive” në mënyrë që të qëndronte në krye të këtij sporti, është pretendimi i bërë në Gjykatën e Lartë.

Gjykatësit Newey iu tha se Ecclestone kishte nënvlerësuar qëllimisht “Formula 1 Group”, gjatë shitjes së saj në vitin 2006. Kompania mediatike gjermane, “Constantin Medien”, ka deklaruar se ka pësuar humbje në lidhje me këtë marrëveshje, ndaj dhe kërkon rreth 90 milionë paund si dëmshpërblim.

Shefi ekzekutiv i F1 mohon të ketë bërë ndonjë shkelje, ndërsa avokatët e tij thonë se pretendimit i mungon “merita”.  Philip Marshall QC (këshilltar i Mbretëreshës), i cili përfaqëson “Constantin”, përvijoi akuzat e kompanisë në fillimin e një procesi gjyqësor në Gjykatën e Lartë në Londër, që pritet të zgjasë për disa javë.

Ai tha se një bankier ka “asistuar” Ecclestone, për të lehtësuar shitjen e “Formula 1 Group” drejt një “blerësi të përzgjedhur nga Ecclestone”. Marshall sugjeroi se “pagesat korruptive” kanë rezultuar në shitjen e investimeve bankare në një grup kompanish, që kishin “të drejta komerciale fitimprurëse” të lidhura me garat e Formula 1.

Ai tha se pagesat prej plot 27 milionë paund i janë bërë Gerhard Gribkowsky, i cili ka qenë një “zyrtar i rangjeve të larta” në nëj bankë gjermane, me nxitjen e Ecclestone. Marshall i tha gjykatës se një “marrëveshje korruptive” u fut mes Ecclestone dhe Gribkowsky në vitin 2005. Ai shtoi se Ecclestone përfitoi financiarisht dhe se marrëveshja i lejoi atij të mbante “një pozicion në Formula 1, në vijim”.

Ka pasur një “rrezik real” për heqjen e Ecclestone nga pozicioni i tij në “Formula 1 Group”, deklaroi më pas ai.

Marshall tha se banka gjermane shiti “aksionet” e saj në “Formula 1 Group” drejt një grupi të kapitalit privat të quajtur CVC. Sipas tij, Ecclestone kishte menduar se CVC do të mbështeste “vazhdimësinë e rolit të tij si shef ekzekutiv” ndaj kompanive operuese në “Formula 1 Group”. Ndërkohë, “Constantin” kishte të drejta për investime në “Formula 1 Group” e rrjedhimisht edhe të drejta fitimi nga çdo shitje.

Ai bëri të ditur se investimet e bankës u shitën “pa një proces normal dhe të duhur” dhe se Constantin pësoi humbje financiare. Ai sugjeroi se nëse gjykata vendos në favor të “Constantin” mbi këto çështje, atëherë kompania rezulton “viktimë e mashtrimit” dhe do të kërkojë dëmshpërblim. Marshall shtoi në gjykatë se Gribkowsky-t i janë dhënë më shumë se 8 vjet burgim, pasi u shpall fajtor për korrupsion në një gjyq në Mynih, në 2012-n.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA