Kampioni botëror i peshave të rënda, i cili është zgjedhur deputet në Parlament si pjesëtar i partisë Udar, sfidon përpjekjet e asamblesë për të ndalur kandidimin e tij.
Boksieri ukrainas i peshave të rënda dhe politikani opozitar, Vitali Klitschko, shpalli të enjten kandidaturën e tij për zgjedhjet presidenciale të vitit 2015.
Klitschko, 42 vjeç, e deklaroi diçka të tillë në irritim e sipër në Parlament, pasi asambleja, e dominuar nga deputetë të “Partisë së Rajoneve” në pushtet dhe aleatëve të saj, kaloi një ligj për ndryshimin e legjislacionit tatimor, që do të pengonte boksierin të kandidonte për kreun e shtetit.
Duke goditur podiumin, kampioni 204 cm i gjatë, Klitschko tha: “Çdo gjë që ka ndodhur në Parlament sot me tekstet e ligjeve, të mbështetura drejtpërdrejtë nga deputetët e partive në qeveri, nuk do të më frikësojnë apo të më ndalin në rrugën time. Për të shmangur këto skena dhe përpjekje, të cilat kanë të bëjnë me mua si një kandidat i mundshëm, dua të deklaroj këtë: Do të kandidoj për president!”.
Klitschko u zgjodh pjesëtar i Parlamentit vitin e kaluar, si kreu i partisë së tij pro-Perëndimore Udar (Grushti). Që prej atëherë, kampioni i peshave të rënda në botë ai ka bërë fushatë kundër asaj, që ai e quan lëvizje autoritare e presidentit Viktor Yanukovych.
Ai ka kritikuar veçanërisht burgimin e ish-kryeministres ukrainase, Yulia Tymoshenko, gjë që konsiderohet nga Perëndimi si e motivuar politikisht.
Top Channel