Përgjimet, BE dialog me SHBA

25/10/2013 00:00

Ashtu siç pritej, ekonomia dhe emigracioni u eklipsuan nga axhenda e samitit të krerëve europianë në Bruksel, ku dritat e skenës ishin të gjitha për skandalin e përgjimeve të agjencisë Amerikane të Sigurisë Kombëtare.

Në deklaratën e përbashkët të liderëve të bllokut thuhet se “mungesa e besimit” mund të minojë bashkëpunimin e shërbimeve të inteligjencës.

“Mbledhja e informacioneve të kundërzbulimit është element i një rëndësie jetike për luftën kundër terrorizmit. Por nëse mungon besimi, atëherë bashkëveprimi aq i nevojshëm në këtë fushë do të bëhet subjekt paragjykimesh”, thotë deklarata.

Krerët e shteteve e të qeverive e morën parasysh edhe synimin e Francës dhe Gjermanisë për të kërkuar bisedime bilaterale me Shtetet e Bashkuara, me qëllim arritjen e një ujdie përpara fundit të vitit.

Zyrtarë të lartë gjermanë dhe deputetë evropianë do të shkojnë së shpejti në Uashington për të diskutuar rreth situatës. Gjermania dhe Franca kërkojnë që Amerika t’i ndalojë menjëherë përgjimet në kontinentin e vjetër dhe për këtë arsye po i mëshohet idesë së një marrëveshjeje, e cila do t’i japë fund këtij lloj aktiviteti.

Iniciativës franko-gjermane iu bashkua edhe Spanja, që thirri ambasadorin amerikan për shpjegime mbi raportimet se përgjimet e NSA-së janë shtrirë edhe në këtë vend.

Shqetësime në samit shkaktoi edhe publikimi që bëri gazeta britanike “The Guardian”, të enjten vonë me një listë me 35 kryetarë shtetesh dhe qeverish të përgjuar nga shërbimi kombëtar amerikan.

Megjithatë ka zëra, si ai i eurodeputetit finlandez Alexander Stubb, që paralajmërojnë ndaj reagimeve të tepruara. “Çdo politikan i nivelit të lartë duhet ta ketë të qartë se mund të përgjjohet. Unë jam shumë i kujdesshëm dhe i vetëdijshëm se gjithçka që komunikoj mund të bëhet publike”, shprehet ai, duke shtuar:

“Nuk duhet të jemi kaq të ashpër me amerikanët, ndryshe kam frikë se edhe ne do të kemi shumë probleme me transferimin e të dhënave nga Europa në SHBA”.

Mbrojtja e të dhënave është një pjesë e “axhendës dixhitale” për të cilën krerët e shteteve të BE-së diskutuan në Bruksel. Blloku do të subvencionojë më shumë internetin e shpejtë dhe firmat që kanë si bazë pune rrjetin dixhital, një nismë që veç të tjerash premton të krijojë edhe vende të reja pune.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB