Një çështje vrasjeje e profilit të lartë, që përfshin një nga familjet politike më të njohura në Amerikë, mori një kthesë dramatike gjatë së mërkurës, kur një gjykatë e Connecticut urdhëroi një rigjykim për Michael Skakel, nipin e Robert dhe Ethel Kennedy.
Skakel, i cili ka kaluar më shumë se një dekadë pas hekurave, akuzohet për vrasjen e fqinjës 15-vjeçare, Martha Moxley, në një klub golfi në 1975-n. 27 vite pas vdekjes së saj, ekzaktësisht në 2002, ai u shpall fajtor dhe u dënua me 20 vjet burgim.
Nëna e adoleshentes, për vrasjen e së cilës akuzohet Michael Skakel, thotë se nuk është e shqetësuar nga mundësia e një rigjykimi të tij. “Nuk kam hequr dorë dhe ende besoj se Michael Skakel vrau vajzën time… Nëse do të ketë një tjetër gjyq, do të jem atje”, tha Dorthy Moxley për CNN, gjatë së mërkurës, disa orë pasi një gjykatë vendosi një rigjykim të kësaj çështjeje.
Për vite me radhë, Skakel luftoi pa sukses për të hedhur poshtë dënimin e tij. Por, një gjykatë i dha Skakel-it, 53-vjeçar, një mundësi të re gjatë së mërkurës, duke vendosur se mbrojtja e tij gjatë gjyqit të 2002 ka qenë e papërshtatshme.
John Smriga, nga Zyra e Prokurorit të Shtetit në Bridgeport, tha se apelimi i çështjes është planifikuar, por nuk dha detaje të mëtejshme.
Robert F. Kennedy Jr., kushuriri i Skakel, e përshkroi vendimin e gjykatës si një “ngjarje të bekuar”. “Mendoj se, kushdo që e njeh Michael, ndihet i gëzuar më këtë”, tha Kennedy për “AC360”.
Në një opinion të gjatë, të mërkurën, gjyqtari i Apelit të Connecticut, Thomas Bishop, theksoi se përfaqësimi Skakel nga avokati mbrojtës, Michael “Mickey” Sherman, ka qenë “i mangët në aspektin konstitucional”.
“Mbrojtja e një ndjekjeje penale të një krimi të rëndë kërkon vëmendje ndaj detajeve, një hetim energjik dhe një plan koheret mbrojtjeje, të aftë për t’u ekzekutuar”, shkroi Bishop në vendimin e tij. “Dështimet gjyqësore të avokatit në secilën nga këto fusha përfaqësimi ishin domethënëse, e në fund të fundit fatale ndaj një mbrojtjeje të përshtatshme kushtetuese”.
Avokatët e rinj të Skakel argumentuan se Sherman dështoi të përfaqësonte siç duhej të akuzuarin në gjykatë. Ndërkohë, Sherman tha se ishte i lumtur për ish-klientin e tij, duke thënë se kishte besuar vazhdimisht në pafajësinë e tij.
Top Channel