Një zyrtar i lartë në Shtëpinë e Bardhë u pezullua nga puna, pas demaskimit si përdoruesi i një faqeje mjaft të lexuar në rrjetin social Twitter, ku prej më shumë se dy vjetësh postonte komente të bezdisshme për kolegët e tij.
Burime zyrtare e identifikuan punonjësin e pushuar si 40-vjeçarin Jofi Joseph, deri tani vonë pjesë e ekipit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare për mospërhapjen e armëve bërthamore.
Adresa abuzive në Twitter, me të cilën kishte goditur kolegët për një kohë të gjatë, është mbyllur.
Joseph kërkoi ndjesë për komentet e pahijshme dhe shpesh herë dashakeqe, ku diskutonte që nga çështjet politike e deri tek ato të natyrës personale.
Një prej mesazheve thumbonte ish-kandidatin për kryetar bashkie të Nju Jorkut, Anthony Weiner, i përfshirë në një skandal seksual, dhe bashkëshorten e tij, Huma Abedin, dikur ndihmëse e afërt e Hillary Clinton-it.
Këtë muaj, 40-vjeçari i ishte bashkuar sulmeve republikane ndaj zonjës Clinton, për mënyrën se si menaxhoi situatën pas sulmit ndaj misionit diplomatik amerikan në Benghazi të Libisë. Në Lindjen e Mesme, Clinton kishte shumë pak objektiva politike dhe absolutisht asnjë fitore, thuhej në njërën prej komenteve të tij.
Gjuhës së ashpër të tij nuk i ka shpëtuar as vajza e ish-kryediplomates amerikane, Chelsea Clinton, për të cilën thoshte se ka marrë gjithë veset e prindërve të saj, ndërsa pamjen dhe peshën i ka si bashkëshortja e Mitt Romney.
Mësohet se e shoqja e Joseph-it është anëtare e stafit republikan në komitetin e Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë. Sipas mediave vendase, lajmi i përfshirjes së Joseph-it dhe pezullimit të tij ka shkaktuar pështjellim e tronditje, për faktin se ishte mjaft i njohur në qarqet politike.
Top Channel