Sharif-Obama, kërkohet fundi i “dronëve”

24/10/2013 04:25

Kryeministri pakistanez, Nawaz Sharif, iu bashkua të mërkurën presionit në rritje të ndërkombëtarëve mbi sulmet me dronë (avionë të telekomanduar) të Amerikës, duke i bërë thirrje Barack Obama-s t’i japë fund sulmeve në vendin e tij.

Në fund të udhëtimit të pritur prej shumë kohësh drejt Amerikës, që kishte për synim qetësimin e tensioneve në rritje mes SHBA-ve dhe Pakistanit, Sharif u tha reporterëve se ai kishte “theksuar nevojën për t’i dhënë fund sulmeve të tilla”, të cilat parashikohen të kenë vrarë 2525 deri 3613 njerëz në Pakistan, që prej vitit 2004.

Por, një deklaratë prej 2500 fjalësh, e lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, pas takimit kokë më kokë në Washington, e cila i atribuohet të dy udhëheqësve, nuk i përmendte fare sulmet me dronë, duke iu referuar vetëm nevojës për të respektuar “sovranitetin dhe integritetin territorial”.

Aty thuhet se presidenti Obama “përcolli gjithashtu vlerësime për sfidat e sigurisë së brendshme dhe rajonale të Pakistanit”. Të dy liderët refuzuan t’u përgjigjeshin pyetjeve në fund të takimit të tyre, që zgjati rreth 2 orë, në Zyrën Ovale.

Në komentet e parapërgatitura, Obama pranoi se “do të ketë në mënyrë të paevitueshme disa tensione dhe disa keqkuptime mes dy vendeve tona”, por theksoi se marrëdhëniet SHBA-Pakistan do të vazhdojnë të jenë “një burim force”. “Është një sfidë, – shtoi Obama. – Dhe nuk është e lehtë”.

Kritikat e Pakistanit mbi programin e dronëve amerikanë duket se ka irrituar disa nga qarqet e mbrojtjes në Washington, të cilët besojnë se shumë prej sulmeve janë të sanksionuara në mënyrë sekrete dhe janë asistuar edhe nga zyrtarë në Islamabad, ndaj dhe e konsiderojnë dënimin publik si hipokrit.

Por, Shtëpia e Bardhë po përballet gjithashtu edhe me akuza të brendshme për standarde të dyfishta, pas raporteve të detajuara të publikuara këtë javë nga “Amnesty International” dhe “Human Rights Watch”, sipas të cilave është shkelur ligji ndërkombëtar, duke dështuar në shmangien e viktimave civilë gjatë sulmeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA