Berlusconi, tashmë akuza për ryshfet politik

24/10/2013 03:50

Ish-kryeministri italian, Silvio Berluskoni, është paditur me akuzën e korrupsionit politik, lidhur me rrëzimin e qeverisë së Romano Prodi-t në vitin 2008, ka thënë një avokat mbrojtës i tij mbi këtë rast.

Prokurorët e Napolit akuzuan të mërkurën Berlusconi-n se i kishte dhënë ryshfet një ish-senatori, për të ndryshuar krahun politik, në përpjekje për të rrëzuar qeverinë e ish-kryeministrit Prodi gjatë vitit 2006.

Senatori, Sergio de Gregorio, pranoi se kishte marrë 3 milionë euro nga Berlusconi. Ai u dënua me 20 muaj burgim, pas marrëveshjes për pranimin e fajësisë.

De Gregorio, përmes një interviste telefonike me televizionin lokal “Sky”, tha se u kishte thënë prokurorëve atë që dinte në lidhje me pagesat e akuzuara, si dhe shtoi se disa kohë më pas i kishte shprehur keqardhjen Prodit.

Në bashkëpunim me prokurorët, “duke thënë të vërtetën, unë hoqa një peshë të rëndë për ndërgjegjen time”, tha De Gregorio.

Berlusconi ka mohuar të ketë kryer ndonjë shkelje, ndërsa avokati i tij Michele Cerabona tha se ishte besimplotë ndaj rezultatit të seancës paraprake dëgjimore, që do të mbahet më 11 shkurt të vitit të ardhshëm.

Kjo çështje i shtohet një liste të gjatë “dhimbjesh koke”, me të cilat përballet manjati miliarder i mediave. Më herët gjatë këtij muaji, një gjykatë apeli në Milano dha një pezullim 2-vjeçar politik për Berlusconi-n, si pjesë e ndëshkimit të tij për evazion fiskal.

Berlusconi rrezikon gjithashtu një dënim me 7 vjet burgim, nëse gjykatat e apelit do të mbështesin dënimin e tij në lidhje me pagesat ndaj minoreneve për të kryer marrëdhënie seksuale, duke detyruar disa zyrtarë të mbulonin këto probleme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA