Berlini thërret ambasadorin USA

24/10/2013 00:00

Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle ka thirrur ambasadorin
amerikan në lidhje me përgjimin e celularit të kancelares Angela Merkel.

Një zëdhënëse e dikasterit diplomatik të Berlinit zyrtar ka saktësuar se synimi i thirrjes së takimit ishte sqarimi i qëndrimit të qeverisë federale gjermane lidhur me këtë çështje.

Ndërkohë, në kryeqytetin e Gjermanisë është njoftuar se organi i kontrollit parlamentar do të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme në 14:00.

Një ditë më parë zëdhënësi i Angela Merkel deklaroi se, në bazë të informacioneve konkrete rezultonte se celulari i kancelares ishte përgjuar nga Shtetet e Bashkuara.

Për këtë arsye, njoftoi zëdhënësi, Merkel i telefonoi presidentit Obama për t’i kërkuar sqarime dhe i shprehu qëndrimin e saj se, “nëse kjo rezulton e vërtetë, do të ishte e papranueshme”.

Zëdhënësi saktësoi se informacionet që zotëronte qeveria e Berlinit konfirmonin përgjimin e celularit të kancelares dhe për këtë arsye ishin kërkuar sqarime nga administrata amerikane.

Nga ana e tij, presidenti Obama siguroi kancelaren se telefoni i saj nuk ishte përgjuar kurrë, njoftoi pak më vonë zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney.

“Nuk e di në detaje se çfarë presidenti Obama i ka thënë kancelares Merkel, por Shtetet e Bashkuara nuk e kanë monitoruar kurrë celularin e saj”, deklaroi Carney.

Ai shtoi se, “siç ka thënë gjithmonë presidenti, jemi të angazhuar të mbledhim informacione të fshehta duke u përpjekur të gjejmë një balancë mes sigurisë dhe tutelës së privatësisë”.

Lajmi për përgjimin e mundshëm të telefonit të gruas më të fuqishme në botë ishte publikuar nga prestigjozja “Spiegel” në edicionin e saj online.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB