Atentati, vdes një nga të plagosurit

24/10/2013 00:00

Ka ndërruar jetë mëngjesin e së enjtes një nga dy personat e plagosur mbrëmjen e së mërkurës në atentatin me armë zjarri në lagjen “Komuna e Parisit”, në Tiranë.

Lajmin e bëjnë të ditur burime spitalore, sipas të cilave 34-vjeçari Elvis Doçi nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve.

Ndërkohë, xhaxhai i viktimës, shtetasi Ali Doçi, mësohet nga të njëjtat burime se është jashtë rrezikut për jetën.

Elvis dhe Ali Doçi ishin duke udhëtuar me automjetin e tyre, kur u qëlluan mbrëmjen e së mërkurës me armë zjarri nga persona në bordin e një motori tip “Scooter”.

Dëshmitarët dhe policia thanë se në drejtim të tyre u qëlluan 9 plumba, ndërsa autorët u larguan në drejtim të zonës së “21 Dhjetorit”.

Policia po heton që prej natës së djeshme për ngjarjen, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve të saj.

Top Channel