Një sondazh i ri kombëtar jep të tjera prova të ndëshkimit politik ndaj
Partisë Republikane, lëvizjes “Tea Party” dhe kreut të Dhomës, John
Boehner, pas mbylljes së pjesshme të qeverisë.
Sipas sondazhit të CNN, të publikuar të martën, 64% e amerikanëve thonë se kanë një këndvështrim jo favorizues për republikanët, një shifër rekord e të gjitha kohërave kjo, që prej vitit 1992, kur CNN nisi të bënte sondazhe të tilla.
Vetëm 3 nga 10 amerikanë shfaqnin opinione në favor të forcës politike, kundërshtare të Obamës.
56% e tyre thonë se nuk kanë pëlqim ndaj lëvizjes “Tea Party”, një tjetër rekord në historinë e sondazheve të CNN. Ndërkohë, vetëm 28% e tyre thonë se lëvizja konservatore 4-vjeçare është duke ecur në rrugën e duhur.
Vlerësimet ndaj Partisë Demokratike, me 43% në favor dhe 51% në disfavor, janë pothuajse të pandryshueshme nga muaji i kaluar, pikërisht përpara mbylljes së pjesshme dhe të përkohshme të qeverisë federale.
Sondazhi u krye nga e premtja deri të dielën, pas përfundimit të “shutdown”-it 16-ditor të qeverisë, që rrezikoi edhe falimentimin e mundshëm të SHBA-ve, deri në orët e fundit të afatit të skadimit, i cili shënoi edhe mbylljen e parë të qeverisë në këto 17 vjet.
***
Boehner u tha republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve, në fund të “shutdown”-it, se “ne u përpoqëm të fitonim këtë betejë, por thjesht nuk mundëm”. Megjithatë, sondazhet tregojnë se ai nuk ka fituar zemrat dhe mendjet e shumicës së amerikanëve. Përqindja e mospëlqimit ndaj Boehner është tashmë 55%, nga 48% që ishte në shtator.
“Kjo është hera e parë, që kreu i Dhomës nuk pëlqehet nga shumica e amerikanëve”, thotë drejtoresha e sondazhit, Keating Holland. “Ndërsa homologu i tij në Senat, lideri i shumicës Harry Reid, sheh një rënie të mospëlqimit ndaj tij, me një diferencë të vogël, pas grindjeve për çështjet buxhetore”.
Pëlqyeshmëria e Boehner ka rënë me 9% mes republikanëve dhe 8% mes konservatorëve.
Edhe Mitch McConnel, lider i republikanëve të Senatit, dhe senatori Ted Cruz i Teksasit, ideatori i bllokadës ndaj “ObamaCare” dhe tavanit të borxhit, kanë parë një rritje të theksuar të mospëlqimit.
***
Hillary Clinton ruajti një pozicion asnjanëse dhe jo aktiv gjatë krizës së buxhetit. Ndaj dhe sondazhet tregojnë se amerikanët janë në favor të saj me 59%, kundrejt 37% të atyre që kanë shprehur mospëlqim, në sondazhin e ri, pothuajse të pandryshuara që nga muaji maj, kur CNN i pyeti amerikanët të jepnin mendimin e tyre për shpresat e kandidimit për Presidente nga demokratët, në vitin 2016.
Më shumë se 9 nga 10 demokratë e shohin Clinton-in me këndvështrim pozitiv, ashtu siç janë edhe të pavarurit (ata që nuk përkrahin as demokratët dhe as republikanët), respektivisht 53% në favor dhe 42% në disfavor. Ndërkaq, më shumë se 7 në 10 republikanë nuk e preferojnë ish-zonjën e parë, ish-Sekretaren amerikane të Shtetit dhe senatoren e Neë York-ut.
Top Channel