Takimi i “Miqve të Sirisë”, i mbajtur në Londër për bisedimet e ardhshme për paqe në Siri, kanë hasur në vështirësinë e opozitës siriane dhe të Arabisë Saudite.
Opozita siriane në mërgim kërkon “largimin e Sulltanit”, siç e quan ajo Assad-in, ndërkohë që Arabia Saudite e ka bërë të qartë se nuk do të bashkëpunojë më me Shtetet e Bashkuara për luftën në Siri.
Ministri i Jashtëm britanik, William Hague, mikpritës i takimit të 11 vendeve në Londër, tha se është jetësore që opozita e fraksionuar të marrë pjesë në bisedimet e koduara “Gjeneva 2”.
Opozita siriane është e fraksionuar, ndërkohë që shumica e rebelëve islamik, që luftojnë në Siri, nuk e njohin opozitën siriane në mërgim.
Sakaq, Arabia Saudite, përmes shefit të saj të shërbimit sekret, deklaroi se do të ketë një “ndryshim të madh” në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, në shenjë proteste nga mosveprimi i perceptuar amerikan për Sirinë dhe përfshirjen e Iranit , armiq të Arabisë Suadite, në lojën diplomatike.
Sauditët kanë financuar dhe armatosur grupet që luftojnë në Siri. Ministri i Jashtëm britanik Hague tha se nuk ka zgjidhje ushtarake për konfliktin sirian dhe i kërkoi sirianëve të bëjnë kompromiset e domosdoshme për mbarëvajtjen e një procesi paqësor.
Ai bëri të qartë se grupi “Miqtë e Sirisë”, nuk e ka vënë si parakusht të bisedimeve të muajit të ardhshëm, që Assad të mos ketë rol në të ardhmen politike të Sirisë. Por, kryediplomati britanik qartësoi se ai nuk pret që Assad të luajë ndonjë rol në administratën tranzitore, pasi opozita kurrë nuk do të marrë pjesë në këtë administratë.
Zhvillimet e fundit me armët kimike, Irani dhe influenca ruse, sidomos në këtë aspekt diplomatik, duket se janë gurët që po diktojnë lëvizjet e sforcuara në përpjekjet ndërkombëtare për një zgjidhje paqësore të konfliktit të gjatë sirian.
Top Channel