" /> ">
Drejtësia ruse rrëzoi akuzat për pirateri ndaj 30 aktivistëve të “Greenpeace”, duke i zëvendësuar ato me “huliganizëm”, një vepër penale që përmban një dënim më të lehtë nëse provohet.
Në bazë të legjislacionit rus, tashmë ambientalistët mund të dënohen për një maksimum prej shtatë vitesh heqje lirie, nga 15 që parashikonte pirateria.
Megjithatë, pavarësisht presionit ndërkombëtar, aktivistët do të vazhdojnë të mbeten në burg në pritje të gjykimit.
Vladimir Markin, kreu i Agjensisë Federale Ruse të Hetimeve deklaroi se “pas shqyrtimit të provave, akuzat janë riklasifikuar”.
Një javë më parë, 11 fitues të çmimit Nobel në disiplina të ndryshme i shkruan një letër Putinit, duke i kërkuar lirimin e anëtarëve të “Greenpeace”.
Më parë gjatë ditës, qeveria ruse informoi se nuk do të marrë pjesë në seancat dëgjimore të Gjykatës
Ndërkombëtare në Hamburg, në lidhje me çështjen e mbajtjes në burg të
aktivistëve të “Greenpeace”.
Të arrestuar në muajin shtator pasi tentuan të bllokonin punën në një platformë naftënxjerrëse ruse, aktivistët ndodhen aktualisht në pritje të gjyqit në Rusi.
Arrestimi i ambientalistëve ka ngjallur protesta të shumta në perëndim, me argumentin se Moska është duke u treguar shumë e ashpër në këtë rast.
E irrituar nga ndalimi i një anije që lundronte nën flamurin holandez, Holanda paraqiti një padi në Gjykatën Ndërkombëtare, por Rusia nuk e pranon juridiksionin e saj në këtë çështje.
Në një përgjigje, Moska bëri të ditur se do t’i referohet ligjit të së drejtës së sovranitetit në det të pranuar nga OKB-ja bazuar në një precedent të vitit 1997-s.
Aktualisht, 30 persona në bordin e anijes së “Greenpeace” mbeten të arrestuar.
Ambientalistet tentuan te bllokonin punen ne platformen e ndodhur ne Detin Artik, pasi sipas tyre, shfrytezimi i saj po vendos ne rrezik nje ekosistem tejet te brishte.
Top Channel