Australi, beteja me flakët

23/10/2013 00:00

Autoritetet australiane njoftuan vënien nën kontroll të vatrave të zjarrit dhe shmangien e rrezikut në zonën e Blue Mountains në Sidnej.

Shërbimet e zjarrfikësve njoftuan se për momentin flakët janë nën kontroll dhe se banorët mund të rikthehen në banesat e tyre pasditen e së mërkurës, megjithatë paralajmëruan se kriza ende nuk është hedhur pas krahëve dhe se të tjera sfida i presin në ditët në vazhdim.

Kreu i shërbimit të zjarrfikësve në shtetin e New South Wales, Shane Fitzsimmons tha se kombinimi i temperaturave të lartë, lagështisë së ulët dhe erërave të forta mund të shkaktojë përhapjen e flakëve.

Aktualisht në këtë shtet të Australisë, që është më i madhi sa i përket numrit të banorëve, janë aktive 71 vatra zjarri, në 29 prej të cilave nuk ka fare prezencë të zjarrfikësve.

Fatmirësisht nga flakët nuk është regjistruar asnjë viktimë, por dëmet materiale janë të pallogaritëshme. Qindra banesa janë shkrumbuar, ndërsa 3-4 mijë zjarrfikës janë mobilizuar për të vënë flakët nën kontroll.

Zjarret në Australi nuk janë të pazakonshme, por ajo që është e pazakonshme këtë sezon është nisja e tyre shumë më herët nga ç’nisin zakonisht.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB