Al-Liby përballë drejtësisë amerikane

23/10/2013 00:00

Abu Anas al-Liby, i dyshuari si militant i arrestuar në një operacion të forcave speciale amerikane në fillim të këtij muaji në Tripoli të Libisë doli për të dytën herë përballë drejtësisë amerikane në Nju Jork.

Sipas BBC, al-Liby në procesin gjyqësor do të mbrohet nga një avokat i paguar nga qeveria libiane. Ai akuzohet për lidhje me Al-Kaedan dhe përfshirje në sulmet me bomba ndaj ambasadave amerikane në vitin 1998.

Vetë 49-vjeçari, emri i vërtetë i të cilit është Nazih Abdul Hamed al-Ruqai, mohon akuzat për terrorizëm.

Në seancën e parë ai tha se nuk mund të përballonte koston financiare të një avokati. Këtu është futur në lojë qeveria libiane. Një burim brenda gjykatës, tha për BBC se Tripoli vendosi të paguajë gjithë shpenzimet e avokatit, ndërsa vetë avokati i përzgjedhru, Bernard Kleinman refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve se kush e kishte punësuar.

Ai kërkoi nga gjykata disa muaj kohë për t’u njohur me dokumentacionin voluminoz të cështjes. Dalja e radhës para gjykatës e al-Liby do të jetë më 12 dhjetor.

Aksioni për kapjen e tij i ndërmarrë më 5 tetor, shkaktoi zemërim në Tripoli që e quajtën operacionin një shkelje të rëndë të sovranitetit të Libisë.

Kryeministri Ali Zeidan tha se të gjithë libianët duhet të gjykohen në Libi, megjithatë shtoi se marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Tripolit nuk do të cënohen nga ky “incident”.

Sulmet ndaj ambasadave amerikane në Kenia dhe në Tanzani në vitin 1998, shkaktuan të paktën 200 të vdekur dhe dhjetra të palgosur, ku pjesa më e madhe e tyre ishin civilë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB