" /> ">

Pronari i Juventusit: Jam abuzuar seksualisht

18/10/2013 00:00

Aksioneri më i madh dhe drejtori i përgjithshëm i grupit FIAT dhe “Exor”, kontrollues njëkohësisht edhe i Juventusit, Lapo Elkan, tregoi për herë të parë në faqet e një gazete italiane një dramë që kishte përjetuar si fëmijë.

“Vëllezërit e mi mbetën në shkollën publike, ndërsa unë, fëmija i dytë nga tetë, u dërgova në kolegj tek jezuitët. Atë kohë e mbaj mend si një ndëshkim i vërtetë. Që kur mbusha 13 vjeç kam përjetuar gjëra të dhimbshme që kanë krijuar shumë probleme në jetën time. Gjëra që nuk më ndodhnin vetëm mua në atë kolegj. Flas për abuzime fizike… seksuale. Më ka ndodhur, i kam vuajtur”, deklaroi Elkan.

“Persona të tjerë që kanë përjetuar gjëra të ngjashme nuk kanë arritur t’i përballojnë”, shpjegon nipi i Avokatit Agnelli, themeluesit të një prej grupeve më të mëdha të biznesit në Itali dhe Europë. “Miku im më i mirë, me të cilin ishim bashkë në kolegj, për rreth dhjetë vjet u përpoq të bashkëjetonte me atë që i kishte ndodhur, por një vit e gjysmë më parë vrau veten. Nuk kisha folur kurrë më parë për këtë, pasi dua që kjo histori të shërbejë për të ndryshuar diçka”.

Në një histori përtej Juventusit apo grupeve të tjera të biznesit që drejton, i biri i vajzës së pronarit italian shpjegoi se si mundi të përballonte atë traumë. “Kam bërë një punë të madhe me veten, duke parë në sy gjërat që kishin ndodhur, pa i fshehur. Më e vështira është të jesh i sinqertë me veten dhe të tjerët. Pastaj, kur miku yt më i mirë vret veten, vendos në pikëpyetje shumë gjëra dhe fiton një kuroja që nuk e dije që e kishe më parë. Ndiej një dhimbje të madhe kur mendoj se mund të kisha bërë më shumë për të shpëtuar atë njeri, ndaj dhe dua të hap një fondacion që të ndihmojë njerëzit që kanë përjetuar gjëra të tilla”, deklaroi Lapo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA