Eliminatoret e futbollit të vlefshme për botërorin “Brazil 2014” po shkojnë drejt fundit.
Por, pas ndeshjeve kualifikuese dhe miqësoreve të zhvilluara gjatë muajit tetor, janë përcaktuar pothuajse edhe “kokat e grupeve” për shortin që do të hidhet më 6 dhjetor për kampionatin botëror.
Ndër dhjetë më të mirët e botës, Spanja ka ruajtur vendin e parë, Gjermania i rrëmben të dytin Argjentinës, ndërkohë që hyrje të reja kanë qenë Zvicra e Anglia, me nga 7 pozicione të rikuperuara, falë performancave të mira të tyre në ndeshjet e fundit eliminatore.
Ndërkohë, Italia ka paguar shtrenjtë barazimin e marrë ndaj Armenisë, duke rënë me 4 pozicione dhe duke mbetur jashtë “kokave”.
Shpërndarja e ekipeve në vazon e parë për shortin final do të jetë: Brazili, Spanja, Gjermania, Argjentina, Kolumbia, Belgjika e Zvicra, të cilët e kanë siguruar përfundimisht këtë gjë. Nëse Uruguaji fiton ndeshjen “play-off” ndaj Jordanisë, ata do të jenë ekipi i fundit që do të futen në vazon e parë, përndryshe, nëse Jordania do të fitonte, diferenca e pikëve pas presjes dhjetore mes Holandës (1135,95) dhe Italisë (1135,61) do të bënte që “tulipanët” të futeshin si “kokë grupi”.
Gjithashtu, renditja e fundit e FIFA-s ka përcaktuar edhe ndarjen e ekipeve në dy vazo për “play-off”-et e Europës, për të përcaktuar 4 ekipet e tjera që do të shkojnë në Brazil. Shorti do të hidhet në Zyrih, të hënën, më 21 tetor, ora 14:00.
Ekipet do të ndahet si në vijim: Portugalia, Greqia, Kroacia e Ukraina në vazon e parë dhe Franca, Suedia, Rumania e Islanda në vazon e dytë.
Deri më tani, 20 ekipe janë kualifikuar për në botëror, veç Brazilit organizator. Ata janë Argjentina, Australia, Belgjika, Bosnje-Hercegovina, Kili, Kolumbia, Kosta Rika, Ekuadori, Anglia, Gjermania, Honduras, Irani, Italia, Japonia, Korea e Jugut, Holanda, Rusia, Spanja, Zvicra dhe SHBA-të.
Renditja e radhës e FIFA-s do të publikohet pas përfundimit të ndeshjeve play-off, më 28 nëntor 2013.
Top Channel