“Different Trains” ngre siparin

09/10/2013 00:00

Festivali kushtuar muzikës klasike “Different Trains” ka ngritur siparin mbrëmjen e së mërkurës me koncertin e tij të parë në sallën e Universitetit të Arteve në kryeqytet.

Nisma që bashkon për një sërë koncertesh në Tiranë muzikantët më të mirë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, po kthehet tashmë në një traditë të mirë me këtë edicion të dytë.

Në koncertin e së mërkurës, aktivitetit i janë bashkuar  violonçelisti Olsi Leka, fitues i cmimeve të ndryshme prestigjioze brenda dhe jashtë vendit, i cili prej moshës 24-vjecare është bërë edhe violinçel i parë në Orkestrën Kombëtare të Belgjikës edhe pianistja Dhurata Lazo. Pas një karriere të suksesshme në Shqipëri, Lazo tashmë prej vitesh jeton dhe ushtron profesionin e saj në Gjermani.

“Emocioni është i madh dhe është i përforcuar nga dy elementë shumë të rëndësishëm, siç janë rikthimi në publikun shqiptar për të luajtur për prindërit, për pedagogët tanë, për kolegët dhe e dyta, jo më pak e rëndësishme, zgjedhja e kolegëve që kemi në podium këtë radhë është një nga përzgjedhjet më fantastike që mund të bëhet me muzikantë të një sere shumë të lartë me një karrierë fantastike”, thotë violinçelisti, Olsi Leka.

“Kjo është një sallë që të emocionon shumë. Është hera e katërt që vij dhe sa herë dal në këtë sallë me dridhen këmbët sepse këtu jam diplomuar. Ka kujtimet e veta dhe kam kujtime shumë të forta dhe aq më tepër që e di që në publik janë njerëz që i njeh që të gjithë. Ësthë një emocion i fortë”, shprehet pianistja Dhurata Lazo.

Repertori i përzgjedhur për të çelur festivalin ka qenë me muzikë shqiptare nga Çesk Zadeja dhe kompozitorja e re Eriona Rushiti. Mbrëmja ka vijuar me pjesë të kompozitorëve Kodali  dhe Shuman. Secila prej 4 netëve të festivalit do të rezervojë për publikun një përzgjedhje të ndryshme muzikore.

Përvec artistëve shqiptarë në festival performojnë edhe violinisti italian Luka Ranieri, violë e parë e orkestrës së RAI-t dhe pianisti francez Adam Lalum, fitues i një sërë cmimesh prestigjoze në rang ndërkombëtar.

Top Channel