Sharje, ofendime, kërcënime, madje edhe rrahje mes deputetëve. Vitet e fundit, këto skena të shëmtuara shihen shpesh në Kuvendin e Maqedonisë.

Incidenti më i rëndë u shënua vitin e kaluar, kur sigurimi i Kuvendit largoi me dhunë deputetët e opozitës dhe gazetarët nga seanca plenare, ku në rend dite ishte votimi i buxhetit shtetëror.

Për të përmisuar këto sjellje, por edhe imazhin e rrënuar të Kuvendit, partia maqedonase VMRO-DPMNE ka propozuar një kod etike për sjelljen e deputetëve. Ky kod pritet të miratohet në Parlament, pasi anëtarët e grupit të punës, për ngjarjet e dhunshme të 24 dhjetorit, të arrijnë konsensus për përmbajtjen e tij.

“Kodi etik nuk ekziston momentalisht në Parlamentin e Maqedonisë, ndërsa e kanë pothuajse të gjitha Parlamentet e vendeve anëtarëve të BE-së. Për të hartuar një tekst të arsyeshëm dhe të balancuar, duhet të analizojmë edhe përvojat e vendeve të tjera. Në të njëjtën mënyrë duhet të veprojmë edhe me rekomandimin, që ka të bëjë me sigurimin e Kuvendit, pasi bëhet fjalë për një vëllim të gjerë pune, që duhet të realizohet në koordinim me disa institucione të Republikës së Maqedonisë”, tha Ilija Dimovski, deputet i VMRO-DPMNE-së.

Teksti fillestar i Kodit Etik i jep mundësi kryetari të Parlamentit dhe kryetarëve të komisioneve parlamentare, që të përjashtojnë nga puna – prej 1 deri në 5 ditë – çdo deputet që sillet në mënyrë të papëlqyeshme, ofendon apo nënçmon kolegët, ose pengon mbajtjen e mbledhjes.

Paga e deputetëve që përjashtohen, do të ulet me 5% për çdo ditë dënimi. Propozimi parashikon edhe formimin e një Komisioni 3-anëtarësh, që do të vendosë në bazë të ankesave nga deputetët e dënuar.

Partia shqiptare në pushtet, BDI, ka dhënë pëlqimin për këtë propozim, ndërsa opozita maqedonase konteston pjesën e tekstit, që i lejon kryeparlamentarit përjashtimin disa ditor të deputetëve nga punimet e Kuvendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA