Tingujt e muzikës rrok dhe metal kanë gjallëruar të shtunën mbrëma publikun e mbledhur për të ndjekur edicionin e dytë të festivalit “Tirana Rocks”.
Aktiviteti, i cili po kthehet tashmë në një traditë të përvitshme, ka ngjitur në skenë për një natë të vetme disa prej zërave më të mirë dhe këngëtarët më të afirmuar të këtij zhanri në Shqipëri, si dhe dy pjesëmarrës nga jashtë vendit.
“Vitin e kaluar kemi qenë më të vegjël në numër, në skenë, në sponsora dhe në atë që kemi hedhur në skenë. Këtë vit ka marrë përmasa më të mëdha, përmasa të një festivali të vërtetë rroku, i ka kaluar madje edhe pritshmëritë tona, me njerëz të rrokut, që e duan atë, me grupe shumë të mira, në një përzgjedhje që ofron jo vetëm një zhaner të rrokut, por jemi munduar që të zgjedhim grupet më të mirë për të dhënë një shumëllojshmëri të rrokut, në mënyrë që të përfshihen të gjithë dashamirësit e rrokut”, u shpreh Arnita Beqiraj, pjesë e grupit organizator të Festivalit.
Këngëtarë si Eugent Bushpepa, Renis Gjoka e Bojken Lako, grupi “CopyLeft”, grupi gjerman “SamaVayo” apo ai nga Maqedonia “Blla Blla Blla”, kanë ndezur atmosferën për orë të tëra me këngë të zgjedhura, kryesisht prej repertorit të tyre, por edhe me hite të njohura botërore.
I gjithë eventi është shndërruar në një festë të orëve të vona, ku muzika ka qenë kryefjala e mbrëmjes për të rinjtë e mbledhur, dhe ku të gjithë të apasionuarit e rrokut kanë gjetur një hapësirë ku të shijojnë këngët e tyre të preferuara.
Top Channel