Të shtëna në “Capitol Hill”, vritet e ndjekura

04/10/2013 00:30

Drejtuesja femër e mjetit, që detyroi policinë ta ndiqte në zemër të Uashingtonit u godit për vdekje nga të shtënat e policisë dhe është shpallur e vdekur, bëri të ditur shefja e policisë së Uashington DC, Cathy Lanier.

Oficeri i policisë së kryeqytetit amerikan, që u plagos gjatë ndjekjes së policisë mes Shtëpisë së Bardhë dhe “Capitol Hill”-it, “duket se është në gjendje të mirë”, thanë zyrtarët mbrëmjen e së enjtes. Oficeri është një veteran me eksperiencë 23-vjeçare në polici.

Ndjekja e egër e së enjtes, e cila nisi pranë Shtëpisë së Bardhë dhe që përfundoi vetëm pak minuta më pas me shkëmbim zjarri në “Capitol Hill”, duke krijuar skena kaotike dhe sirena të shumta policie e mjetesh të tjera, zjarrëfikëse dhe autoambulancash, mbylli ligjvënësit brenda Parlamentit, ndërsa kalimtarët u prekën nga pasojat dhe papastërtitë e ngjarjes.

Dy persona u dërguan në spital, gruaja që ngiste një makinë të zezë me dy dyer dhe që përshpejtoi përpara ambienteve të ligjvënësve amerikanë, duke mos respektuar as semaforët për shkak të ndjekjes nga policia, si dhe një oficer që gjendej në një nga makinat e policisë, që u përplas nga shoferja në përpjekje për t’ia mbathur.

Një fëmijë i vogël, që ishte në makinë së bashku me gruan, duket se ka shpëtuar pa u plagosur. Ngjarja dramatike solli një sërë mjetesh të emergjencës në kompleksin e “Capitol Hill” dhe shkaktoi mbylljen e përkohshme të Kongresit dhe zyrave përreth.

Sesionet e Dhomës dhe Senatit u pezulluan në mënyrë të menjëhershme, teksa ligjvënësit u urdhëruan të mbanin mjete mbrojtëse dhe të qëndronin larg dritareve. Policia mbylli gjithashtu edhe sheshin “Pennsylvania” përpara Shtëpisë së Bardhë.

Më parë gjatë shtatorit, një punonjës me probleme mendore i një baze ushtarake të marinës në Uashington, i ndihmuar nga dy bashkëpunëtorë, hapi zjarr dhe vrau 12 kolegë të tij, përpara se të neutralizohej nga policia.

Ky sulm dhe disa të tjerë tronditës, si masakra e “Sandy Hook” në muajin janar, kur një i ri vrau pa shkak 20 fëmijë dhe gjashtë mësues në një shkollë fillore apo ajo e kinemasë në Aurora, kur 12 persona u qëlluan për vdekje gjatë premierës së “Batman”-it ka bërë që në SHBA të ngrihet në nivelin e një debati kombëtar kontrolli i armëmbajtjes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA