Shtetet e Bashkuara do të jenë të përgatitura për të konsideruar lehtësimin e disa sanksioneve ndaj Iranit, nëse u parashtrohen hapat për krijimin e besimit dhe provat që tregojnë sinqeritetin mbi negociatat në lidhje programin kontrovers bërthamor, bëri të ditur një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit gjatë së enjtes.
“Janë disa elementë që duhet të plotësohen fillimisht, nëse ata do të marrin veprime të verifikueshme e konkrete, që do të tregojnë me kalimin e kohës se janë të kthyeshme, ose që nuk kanë të bëjnë thjesht me disa nga sanksionet kryesore që u janë vendosur në tavolinë atyre”, tha zv/Sekretarja e Shtetit, Wendy Sherman, në një pohim përpara Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë në Senat.
Sherman e bëri të qartë se nuk mund të hiqen të gjitha sanksionet ndaj Iranit “në ndonjë afat kohor të afërt”, për sa kohë që vargu i tërë i shqetësimeve rreth programit bërthamor të Iranit nuk do të adresohet tërësisht.
Dëshira e hapur, e shfaqur së fundi nga Irani, për të negociuar seriozisht në lidhje me programin e tyre bërthamor besohet të jetë si pasojë e sanksioneve paralizuese ndaj ekonomisë së tyre.
Komentet e Sherman vijnë teksa anëtarët e Marrëdhënieve me Jashtë dhe komisioneve Bankare në Senat po konsiderojnë sanksione shtesë, si rrugë e vetme për rritjen e presionit ndaj Iranit, në mënyrë që të negociojë me besim të plotë me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre ndërkombëtarë.
Ndërkohë që procesi duket se po avancon, Sherman tha se të tilla masa duhet të presin deri në takimin e ardhshëm të së ashtuquajturve “P5+1” (SHBA, Britani, France, Gjermani, Rusi dhe Kinë), të parashikuar në Gjenevë në fund të këtij muaji.
“Do të shpresoja, që të na lejonit kohën e nevojshme për të nisur këto negociata dhe të shohim nëse, faktikisht, ka ndonjë zhvillim real mbi këtë çështje”, tha ajo. “Në pikëpamjen time, shprehja e drejtpërdrejtë e iranianëve ka nevojë për gatishmërinë e të gjithëve për të vepruar”.
Sherman do të përfaqësojë Shtetet e Bashkuara në takimin e Gjenevës. Disa anëtarë të Kongresit shprehën menjeherë shqetësimet ndaj qëndrimit të administratës së Obamës, duke thënë se nuk është koha e duhur tanimë për të lehtësuar presionin ndaj Iranit.
“Është tepër e rëndësishme, që ne të shtojmë presionin ndaj Iranit, në mënyrë që të shtojmë mundësitë tona për negociata dhe t’i mohojmë Teheranit burimet e nevojshme për të vazhduar me programin bërthamor”, tha një republikan, lider i Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve. “Irani kërkon të ulet në tavolinë vetëm prej presionit tonë me masat ndaj ekonomisë së tyre. Pse ta hedhim dëm këtë sukses?”.
Top Channel