Një “Pasdite” me Aurela Gaçen

04/10/2013 00:00

Aurela Gaçe, këngëtarja e famshme e cila do i bashkohet në ‘The Voice of Albania 3” grupit të trajnerëve të konfirmuar: Alma Bektashi, Elton Deda dhe Sidrit Bejleri, ka theksuar në një intervistë për emisionin “Pasdite në Top Channel” se ka ardhur koha që t’i japë të rinjve njohuritë e veta në botën e muzikës.

The Voice – Ishte momenti i duhur që të nisja t’i jepja të rinjve atë që di vetë. Dua që këto 3-4 muaj të mësoj të rinjtë si të mbijetojnë në tregun e muzikës. Dua t’i mësoj disa gjëra thelbësore në lidhje me dashurinë ndaj muzikës pasi zëri duhet të lidhet me mendjen dhe shpirtin.

Fillimet e karrierës – Gjithmonë kam dashur të bëhem këngëtare. Kam punuar fort për të dalë në skenë dhe nuk kisha frikë nga e ardhmja. Im atë donte të merrja një profesion, por tani i them: “Ej, nuk doli keq. Në fillim më kanë munduar më shumë këngët dhe tekstet që nuk më kanë pëlqyer. Nëse një këngë më pëlqente, unë e këndoja pa problem, sado e vështirë të ishte.

“Tigri Aurela” – Këtë “tigër” e zbut vetëm dashuria dhe pasioni.

Ndryshimi i karakterit – Më parë fajësoja veten kur kisha keqkuptime me njerëzit, por tani nuk e vras më mendjen. Mendoj se ka ndikuar dhe jetesa në Amerikë.

Amerika – 3 vjet rresht kam marrë mësime private mbi teknikën e të kënduarit pasi një profesor që ishte marrë me Lisa Minellin më tha që kisha forcë zëri, por një këngëtare me teknikë më të mirë ma kalonte lehtë.

Mediat – Para 2 vitesh e gjysmë, sapo lajmërova publikun që isha shtatzënë, një gazetë shkroi se “Aurela do të mbulojë dështimin në Eurovizion dhe njoftoi se pret fëmijë”. Unë nuk dështova pasi ajo është një garë ku vetëm njëri fiton. U lëndova shumë atë periudhë dhe nuk e kuptoj pse ajo gazetare e shkruajti atë gjë.  

Përkufizim i vetes – Nuk jam xheloze për asgjë në Botë dhe jam e sinqertë me veten.

Kujdesi për veten – Nuk jam e apasionuar për kremërat e shtrenjta, por kujdesem aq sa duhet. Tani shpenzoj më shumë në sport, vitamina, pushime dhe ushqim.

Emri i vajzës, Grejs – Erdhi nga qëndrimi im në Amerikë. Atje më thonin Aurela Grejs dhe jo Gaçe sepse ç-në nuk e njohin dhe mendonin se mbiemrit tim i mungonte një R.

Feja – Nuk shkoj në kisha, por e kam ndjerë Zotin në jetën time dhe besoj shumë. Fuqia e brendshme e imja vjen nga Zoti dhe më ka ndihmuar të ringrihem kur jam rrëzuar.

Top Channel