Shuhet mjeshtri i spiunazhit Tom Clancy

02/10/2013 00:00

Shkrimtari dhe skenaristi amerikan Tom Clancy ka ndërruar jetë të martën në moshën 66-vjeçare, në një spital të Baltimores, në Shtetet e Bashkuara. Konfirmimi ka ardhur nga botuesi i tij.

Clancy është i famshëm për romanet e tij të spiunazhit që shpesh herë kanë dalë bestseller dhe kampionë të arkëtimeve. Ai dallohet për ata të zhanrit teknothriller, që përmbajnë të dhëna teknike ushtarake.

Ndër veprat më të spikatura të Clancy janë “Gjuetia për Tetorin e Kuq”, “Rrezik i Pranishëm” dhe “Lojra Patriotike”, që janë kthyer edhe në filma me interpretimin e yjeve si Sean Connery dhe Harrison Ford.

Clancy jetonte në një pronë të madhe me pamje nga deti në afërsi të Baltimores. Në studion e tij ndodhen dhjetëra berreta me simbolet ushtarake dhe me siglat e agjencive të ndryshme amerikane të spiunazhit.

Politikisht ai anonte djathtas. Anëtar i përjetshëm i shoqatës National Rifle, lobi i fuqishëm i industrisë së armatimeve, Clancy i ka kushtuar shumë libra eksponentëve republikanë, mes të cilëve ish-presidentit Ronald Reagan.

Pas sulmeve të 11 shtatorit ai kishte akuzuar demokratët për bashkëpërgjegjësi në atentatet ndaj Kullave Binjake dhe Pentagonit, me argumentin se kishin boshatisur fondet e CIA-s.

Top Channel