“Si Kryeministri i këtij vendi, ku për të dytën herë pas vitit 1992, u votua jo thjesht për të ndërruar partinë në pushtet, por për t’ua rikthyer pushtetin qytetarëve, ju uroj përzemërsisht mirëseardhjen”.

Me bindjen se 1 milion shqiptarë, që votuan Rilindjen, presin ndryshimin, Edi Rama ka hapur pritjen e parë për trupën diplomatike të akredituar në Tiranë, duke ndryshuar traditën e zhvendosjes së këtij eventi, nga Pallati i Brigadave në këtë sallë të ndryshuar në Këshillin e Ministrave, të veshur me harta të Europës, destinacion drejt të cilit Shqipëria synon të shkojë dhe për të cilin Rama nuk ka ngurruar ta shfaqë pritshmërinë përpara diplomatëve.

“Integrimi europian është mjaft i lehtë të thuhet, por tejet i vështirë të bëhet. Bëhet edhe më i vështirë kur vetëm thuhet dhe bëhet i pamundur kur tjetër thuhet dhe tjetër bëhet, siç fatkeqësisht është bërë vitet e fundit. Por, sidoqoftë, unë mbetem dakord me paraardhësin tim kur thoshte se Shqipëria nuk kërkon çfarë nuk meriton. Dua të shtoj vetëm se, ne do të bëjmë gjithçka për ta merituar atë që kërkojmë nga Bashkimi Europian: Statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim”, u shpreh Rama.

Duke i mëshuar faktit se ishin shqiptarët, ata që në mënyrë spektakolare, – siç e cilësoi Rama, – përmbushën një prej kushteve kryesore për BE-në; zgjedhje të lira dhe të ndershme më 23 qershor; shefi i qeverisë deklaroi se mirëkupton çdo vend anëtar që, për të votuar pro statusit për Shqipërinë, pret realizimin edhe të një tjetër kushti, po aq të rëndësishëm.

“Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, thellësia dhe efektshmëria e saj, do të jetë padyshim sprova jonë e pandryshuar deri në ditën e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Por, ne jemi tashmë në lëvizje, e cila do të bëhet përditë e më e dukshme në këtë drejtim, në muajt në vijim”, theksoi Rama.

Në këtë pritje, Rama lançoi mbajtjen e një tryeze ndërkombëtare kundër korrupsionit, në nëntor në Tiranë, dhe një tjetër projekt, atë të ngritjes së një njësie speciale të kthimit të prioriteteve në rezultate në Kryeministri, bashkë me ish-kryeministrin britanik Tony Blair dhe presidentin e BB.

Por, ajo që duket sfidë e vështirë për qeverinë “Rama” është ekonomia, për të cilën shefi i ekzekutivit deklaroi se të vërtetat janë më të hidhura se ç’duken.

“Ekonomia është e mbërthyer nga një ngërç i madh, që ka mbërthyer buxhetin e shtetit: arka praktikisht është bosh. Por, as nuk jemi në gjendje të pashpresë dhe as nuk na mungojnë zgjidhjet për ta ndalur rrënimin, për ta çliruar ekonominë nga ngërçi dhe për të rimarrë rrugën e rritjes ekonomike. Përkundrazi, çdo krizë është edhe një mundësi për të dalë më i fortë dhe unë jam i bindur se ne nuk do ta humbasim këtë mundësi”, deklaroi Rama.

Me gjithë gjendjen e vështirë, ku qeveria e shkuar ka lënë ekonominë, Rama gjeti rastin sërish ta quajë të lavdërueshme punën e saj për projektin TAP, të cilin ai tha se do e shtyjë më tej në kërkim të një degëzimi për Kosovën.

Teksa falënderoi në fillim të fjalës ambasadorët më të spikatur dhe me kontribute edhe për shkak të momenteve, kur ata kanë qenë në Shqipëri, ra në sy mungesa e emrit të Alexander Arvizu, ambasadorit në ikje të SHBA-ve.

Por, emrin e tij Rama e kishte ruajtur për në fund, ku përveç mirënjohjes për çka bëri për Shqipërinë, e falënderoi jo vetëm për ditët e mira me të.

“Dua ta falënderoj edhe për jo shumë ditë të mira, që kemi kaluar bashkë, por edhe për orët e vështira mes nesh, ku nuk m’i ka fshehur mendimet e tij, të ndryshme nga të miat. Jam i bindur se, në orë të atilla, miqësitë e vërteta marrin formën e tyre të qëndrueshme për të gjithë jetën”, përfundoi Rama.

Top Channel