Edicioni i II-të i “Different Trains”

30/09/2013 00:00

Pas sukesit të vitit të kaluar, rikthehet “Festivali Different Trains”. Katër koncerte nga datat 8-12 tetor me artistë prestigjiozë shqiptare dhe të huaj të muzikës klasike.

Klajdi Sahatçi, violinë e parë në “Tonhalle” të Zvicrës, Dorian Xhoxhi, violinë e parë në Filarmoniken e Berlinit, Vlorent Xhafaj, violinçist solo në Operan e Sidneit dhe emra të rinj instrumentistesh që vijnë për herë të parë në këtë festival.

“Kemi ftuar disa muzikantë të tjerë shqiptarë që i mungojnë skenës prej kohësh dhe që ka interes prej publikut për t’i ndjekur pasi janë ambasadorë të muzikës sonë në Europë. Olsi Leka, violinçist i Orkestrës Kombëtare të Belgjikës dhe pedagog në Bruksel, Arben Spahiu si violinë e parë në Mynih, Dhurata Lazo, pianiste shumë prezente jashtë e brenda vendit si dhe një njohëse shumë e mirë e repertorit tonë. Interpretues të huaj janë Luca Ranieri, Viola Spala të orkestrës së “RAI”-it dhe Adam Lalum, pianist, një prej emrave më në zë të momentit dhe njëkohësisht fitues i çmimit të “Victoire de la Musique”, si solisti më i mirë i vitit 2012”, deklaroi Vlorent Xhafaj, violinçist dhe një prej bashkëorganizatorëve.

Programi përfshin tre shekuj repertor muzike, kësaj radhe edhe vepra shqiptare.

“Kemi përfshirë disa vepra shqiptare duke qenë se bëhet në Shqipëri si festival, ndaj është vërtetë interesante që të përfshihen edhe shfaqje shqiptare, si klasike ashtu edhe bashkëkohore të kompozitorëve tanë. Gjithashtu, nuk do të mungojnë klasiket ndërkombëtare si Çajkovski apo Bethoven”, shtoi Xhafaj.

Festivali, me partner mediatik “Top-Channel” do të zhvillohet mes sallës së Universitetit të Arteve dhe TKOB, ndërsa biletat mund te gjenden nga e marta prane këtij të fundit.

“Një shtysë për të mbajtur këtë edicion të ri ishte pritja e publikut të vitit kaluar dhe vetë shtysa që morëm nga njerëz për të organizuar përëri këto koncerte që vitin e kaluar tejkaluan atë interes që ne prisnim të shinim”, tha Vlorenti.

Top Channel