“Pasdite” me Michele Placido-n

27/09/2013 00:00

Michele Placido, aktori i mirënjohur italian, ka marrë pjesë si i ftuar nderi në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit me metrazh të shkurtër “Apolonia International Students Film Festival”. Në një intervistë të gjatë për “Pasdite në Top Channel” të realizuar në Apolloni, protagonisti i serialit “Oktapodi”, preku shumë tema, duke nisur nga kinematografia europiane e deri tek jeta e tij personale.

Apollonia – Është një vend i mrekullueshëm ku shkrihet qytetërimi helen dhe ai romak. Këtu më kanë pritur shumë mirë. Jam habitur shumë sepse kanë kaluar shumë vite prej Oktapodit dhe nuk ma priste mendja që do të kishte kaq shumë dashuri rreth meje në Festivalin e Filmit.

Personazhi i komisar Katanit – Kam pasur fatin të jetoja në një periudhë historike të Italisë. Viti 1968 solli ndryshime në të gjithë Botën perëndimore. Ishte një vit plot me ideale dhe unë, atëherë 18-vjeçar, u formova me këto ideale, për drejtësi sociale dhe kundërshtimin e luftërave. Ideale të tilla kishte edhe Katani.

Aktoret e serialit “Oktapodi” – Barbara De Rossi, aktorja e episodit të parë, ishte personazhi më prekës. Ndërsa, si aktore mund të them se Giuliana De Sio ka qenë më e mira.

Karriera si regjisor
– Kalimi nga aktor në regjisor ishte shumë i natyrshëm. Producentët më kërkuan që të nisja punën në regji pasi kisha shumë ide për filma të rinj. Regjisori që më ka frymëzuar më shumë është Mario Monicelli, regjisor komedish. Edhe Francesco Rosi më ka pëlqyer.

Politika – Njerëzit kërkojnë të vërtetën nga politikanët tashmë. Njerëzit nuk duan të ndihen të tradhëtuar dhe të mashtruar.

Jeta personale – Unë kam një fëmijë 8 vjeç edhe pse jam 60 vjeç. Nëse do të ishte për mua, do të bëja edhe një tjetër. Kjo tregon që shoh nga e ardhmja dhe e dua jetën shumë. Jetoj ditë pas dite. Nuk ka rëndësi mosha, por mënyra si përballesh me jetën.

Fëmijët
– Fëmijët e aktorëve duhet të tregojnë se janë në lartësinë e baballarëve të tyre, përndryshe…
Shpresoj që më i vogli, Eno Placido të bëhet aktor i mirë. Është e vështirë të jesh prind dhe regjisor sepse dashuria ndaj fëmijëve të shtyn t’i mbulosh gabimet e tyre.

Top Channel