Festivali i Teatrit në Elbasan

27/09/2013 00:00

Në mesin e muajit tetor starton në teatrin “Skampa” të Elbasanit edicioni i 15- të i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove që këtë vit do të mbaje sloganin “Arkitektura e Ndjesisë”.

Për herë të parë ky festival do të hapet nga një grup që vjen nga Selaniku, për të vazhduar më pas me një shfaqje të veprës së Cahovit, “Ariu”.

Në ditën e dytë festivali do të ketë dy shfaqje, mes tyre trupa e teatrit të të rinjve të Berlinit, për të vijuar me performancën që vjen nga teatri i Romës “I Huaji”, një performancë muzikale, ku krahas dy artistëve italianë do të interpretojnë edhe dy artistë shqiptarë.

Gjithashtu, edhe këtë vit do të jetë i pranishëm edhe Teatri i Prishtinës, si edhe trupa e teatrit të Londrës. Në këtë festival trupa shqiptare do të prezantohet me Teatrin Skampa si edhe me veprën e Stefan Capaliut që ka për bashkëregjizor Alfred Trebickën, interpretuar nga ky i fundit.

Gjatë këtyre 15 viteve janë rreth 160 premiera të shfaqura në Teatrin Skampa të qytetit të Elbasanit, që nga viti 1999 kur edhe ka startuar për herë të parë ky festival. Vit pas viti festivali është pasuruar me trupa të ndryshme nga vendet e Europës, Amerikës dhe rajonit me rreth 2000 artistë që kanë interpretuar në sallën e Teatrit Skampa.  
   

Top Channel