Ilir Yzeiri – Nga burime të brendshme pranë qeverisë së re është mësuar se Rama është “tronditur” nga fatura e rëndë që takspaguesit shqiptar paguajnë për të mbajtur Televizionin Publik Shqiptar dhe ndoshta nën efektin e kësaj tronditjeje, paska deklaruar që është më mirë të mbyllet sesa të vazhdojë me këtë humbje.
Më pas problemi ka hyrë në hulli të tjera dhe me sa duket vështirë të kuptohet se çfarë ka ndërmend të bëjë qeveria e re me godinën më të vjetër dhe me institucionin më të vjetruar mediatik në Shqipëri që quhet Televizioni Publik Shqiptar. Kohë më parë edhe qeveria greke e mbylli televizionin e saj publik, për të korrigjuar financat e saj të dërrmuara nga kriza e gjatë, por u detyrua ta rihapte pas presionit sidomos të organizmave europiane.
Një reformë plot kontestime pat ndërmarrë Sarkozi në Francë për rrjetin e Radio-televizioneve publike të atij vendi, por në një drejtim tjetër. Ai kërkonte që ky rrjet të mos ishte i varur nga komercializmi, pra të shkëputej nga reklama dhe të financohej tërësisht nga shteti. Qeveria do t’i gjente paratë nga rritja e tarifave për kompanitë celulare dhe ato të internetit. Kjo diferencë që do të përftohej do të ndihmonte që të plotësohej buxheti për rrjetin e radio-televizioneve publike në atë vend. Ndërsa në Shqipëri ne jemi përballë një situate krejtësisht tjetër. Sali Berisha, sapo erdhi në pushtet, një ndër tre apo katër vendimet e para që mori ishte shkarkimi i Këshillit të atëhershëm Drejtues, rikompozimi i një tjetri dhe zgjedhja e drejtorit të ri të Përgjithshëm. Shpirti i tij nuk gjeti rehat derisa e ktheu atë godinë në një gërmadhë të urryer të ngjashme me qendrat e zërit të reparteve ushtarake në kohën e diktaturës. Kësaj katrahure iu shtua edhe Jozefina me ciklin “diplomacia parlamentare” duke u plotësuar kështu korniza e një medie të shëmtuar dhe të politizuar edhe më keq se në kohën e diktaturës.
Përballë një situate të tillë, cilido do të mendonte se ai institucion nuk bëhet dhe se do të ishte më mirë që të mbyllej. Ndërkaq, indiferenca e Ramës dhe e të tijve për këtë institucion është vërejtur edhe gjatë kohës që ata ishin në opozitë. Në deklaratat e tyre rrallëherë përmendej TVSH-ja. Ata nuk e ngritën zërin kurrë edhe kur afatet e organeve drejtuese të atij institucioni ishin tejkaluar. Ndërsa sot Edi Rama që ka marrë mandatin prej 1 milion shqiptarëve e ka për detyrë që ta rehabilitojë atë institucion.
Këshilli Drejtues
Meqenëse ai ka zgjedhur që shumicën e punëve t’i bëjë me këshillat e britanikëve, do të ishte mirë që të merrte që andej edhe modelin e medias publike. Gjëja e parë që duhet bërë në këtë rast është të prapësohet ligji për këshillin drejtues të miratuar në legjislaturën e mëparshme dhe drejtimi i TVSH-së të bëhet sipas një kriteri tjetër. Televizioni Publik Shqiptar, ashtu si çdo media tjetër, ka dy anë themelore, përkatësisht editorinë dhe biznesin. Politikat editoriale të TVSH-së duhet të monitorohen nga Komisioni Parlamentar i Medias, në mënyrë që ky institucion jo vetëm të sigurojë barazinë politike, por edhe të gjitha llojet e barazive shoqërore, gjinore, fetare, nacionale të minoriteteve etj.
Drejtuesit e RTSH-së duhet të japin llogari në këtë Komision dhe të penalizohen prej tij kur konstatohen shkelje të qëllimshme dhe të përsëritura. Sa i takon ndërmarrjes së RTSH-së ajo do të duhej të drejtohet nga një Këshill Drejtues që do të ishte përgjegjës vetëm për anën financiare të institucionit dhe do ta ndihmonte atë që të ishte i suksesshëm në treg. Këtu mund të bëjnë pjesë përfaqësues të biznesit, profesionistë në fushën e marketingut apo profesionistë nga fusha e ligjeve dhe drejtuesi i këtij organizmi duhet të jetë një përfaqësues nga Ministria e Financave, sepse shteti është donatori kryesor. Këtë praktikë zbaton në vija të përgjithshme edhe RAI në Itali. Drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së mund të propozohet nga ky këshill, por ai duhet të emërohet nga Kryeministri. Kështu merr fund dinakëria, dyfytyrësia tipike shqiptare që ndërton organizma kinse të pavarura, të cilat kthehen në marioneta të Kryeministrit të radhës.
Qeveria duhet të marrë përgjegjësi reale. Ashtu siç ndodh edhe në Britaninë e Madhe të cilën Edi Rama e ka marrë si model, Kryeministri e zgjedh drejtorin e Përgjithshëm, por nuk ka të drejtë që ta shkarkojë atë. Procedurat e shkarkimit rregullohen me një ligj të posaçëm. Toni Blair nuk e shkarkoi drejtorin e atëhershëm të BBC-së kur gjiganti publik britanik, publikoi dëshminë e një oficeri të shërbimeve sekrete britanike se Blair kishte gënjyer për armët kimike në Irak, se nga këto shërbime nuk kishte pasur asnjë raport të tillë. Agjenti britanik u gjet i vetëvrarë diku në anë të një lumi, ndërsa gjigandi publik BBC, që kishte publikuar një lajm në dëm të imazhit të Kryeministrit, që kishte emëruar drejtorin e atij institucioni, nuk pësoi asnjë presion. Mandati i drejtorit të Përgjithshëm mund të jetë i kufizuar në kohë dhe pa të drejtë ripërtëritjeje, por kjo është një punë juristësh.
Qendër e identitetit kulturor
TVSH-ja ka mundësi të pafundme që të pakësojë humbjet. Për këtë ajo duhet të përmirësojë produktin ashtu siç bëjnë edhe konkurrentët e saj në treg dhe të marrë përsipër projekte të mëdha sidomos në fushën e filmit e të kulturës. Sot ne kemi nevojë për një ekran ku të pasqyrojmë identitetin tonë kulturor. Deri tani, për fat të keq, TVSH-ja është drejtuar nga të dërguar të televizioneve rivale, të cilët kanë punuar për ta shkatërruar atë institucion edhe në emër të fuqizimit të ndonjë konkurrenti të radhës që i bën fresk qeverisë së radhës po ashtu. TVSH-ja mund të përtërihet duke i hapur rrugën të rinjve të talentuar dhe profesionistëve me integritet që në këta njëzetë vjet dëshmuan se nuk mund as të shiten dhe as të blihen nga kryeministrat e radhës. Edi Rama duhet të zgjidhë një dilemë me veten. A do të bashkëpunojë me këtë kategori profesionistësh apo do të vijojë edhe ai rutinën e mëparshme duke preferuar që të punojë me njerëz që lakohen lehtë dhe që i duken atij besnikë. Nëse është kështu, atëherë nuk ka nevojë që ta mbyllë TVSH-në, ajo godinë, vetvetiu, do të bëhet një gërmadhë e stilizuar me një ngjyrë tjetër.
Top Channel