21 janari, një “vrasje në gjueti”

19/09/2013 00:00

SKËNDER MINXHOZI – Ka qenë një film i njohur i viteve ’80, i cili
titullohej “Vrasje në gjueti”. Rrjetet e shumta televizive të Tiranës
vazhdojnë ta transmetojnë mjaft shpesh atë.

Bën fjalë për një grup shokësh që dalin për gjueti dhe ku njëri prej tyre bie viktimë aksidentale e predhave të njërit prej shokëve të tij. Drama e filmit shtjellohet mbi pasojat që lë pas kjo ngjarje tragjike, duke u fokusuar te reagimi i secilit prej anëtarëve të grupit të gjahtarëve dhe dilema për ta rrëfyer, apo për ta fshehur krimin.

Natyrisht që një skenar filmi, sado i realizuar e i vërtetë, e ka të vështirë ta materializojë deri në detaje jetën reale. Por ndonjëherë kjo ndodh. Madje realiteti mund ta tejkalojë fantazinë dhe krijimin. Në këto orë, kur një ish-drejtues i lartë i Gardës së Republikës dhe një gardist tjetër, po akuzohen në shkallën e dytë të gjykimit, se kanë “vrarë pa dashje”, që të dy paralelisht, dy protestues të paarmatosur më 21 janar 2011, ndodhemi qartësisht në situatën kur realiteti ia ka kaluar fiksionit. Përballë kërkesës së organit të akuzës, për dënime me burgim mbi 20 vjet, Gjykata e Apelit vijoi “linjën e butë” të Gjykatës së Shkallës së Parë, duke i dënuar me një dhe tre vjet burg Ndrea Prendin dhe Agim Llupon. Sipas këtij vendimi, ajo që ngjau më 21 janar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, mu në këmbët e godinës së qeverisë, nuk ka qenë një krim i shëmtuar i personave të veshur me pushtet, kundër civilëve të pafajshëm, por thjesht një “vrasje pa dashje”. Tamam si ajo vrasja aksidentale me çiften e gjuetisë, në filmin e lartpërmendur.

Ngjarja e 21 janarit, por edhe hetimi e gjykimi që e pasoi atë, përbëjnë një gur kilometrik në historinë e Shqipërisë, në dekadën e fundit. Ky moment shënoi kundërvënien më dramatike mes palëve politike në vend, por solli edhe tronditjen e imazhit të vendit në botë, ashpërsimin e gjuhës së kancelarive ndaj qeverisë shqiptare dhe shkaktoi, ndër të tjera, prishjen përfundimtare të kryeministrit me ambasadorin amerikan në Tiranë. “Burri i shtetit” kish pushuar së qenë i tillë, duke i ndërruar petkat e liderit të ndryshimit, me ato të njeriut të dëshpëruar që shihte në ëndërr grushte imagjinare shteti. Shumëkush kujton sot sesi qeveria ndërtoi me urgjencë alibinë e grushtit të shtetit, pikërisht për të kompensuar bilancin e rëndë të gjakut që po ajo kishte derdhur në bulevard. Ashtu siç u përgatit më vonë edhe një hetim paralel shqiptar, sërish për të kompensuar konkluzionet e hetimit amerikan të FBI-së, ku të akuzuarit aktualë të 21 janarit merrnin përsipër barrën e rëndë të provave që hetuesit nga SHBA-ja kishin gjetur.

Prishja e evidencave, manipulimi i armëve të përdorura, fshirja e serverëve të Kryeministrisë dhe refuzimi për të dorëzuar gardistët nga ana e qeverisë – që të gjitha janë elemente që normalisht duhet ta kishin rënduar maksimalisht pozitën e të akuzuarve për 21 janarin. Siç pamë, ndodhi e kundërta. Pretenca prej mbi dy dekada dënim me burg, u rrudh në pak muaj e vite për secilin prej dy të akuzuarve.

Konteksti i rënduar i 21 janarit, i rrezatoi edhe për shumë kohë pasojat e tij në shoqërinë shqiptare, pasoja të cilat vijojnë ta mbajnë ende të shqetësuar, një pjesë të ndërgjegjes sonë kolektive. Një masë goxha e konsiderueshme e përkrahësve të ish-opozitës, sot shumicë (edhe falë efektit të 21 janarit), kërkon aktualisht me ngulm hetimin dhe dënimin e të gjithë përgjegjësve të asaj ngjarjeje dramatike, ku katër persona krejtësisht të pafajshëm dhe të padëmshëm, u qëlluan nga shteti si të ishin terroristë të armatosur deri në dhëmbë.

Vendimi i djeshëm për gardistët i bën edhe më emergjente planet që qeverisja e re ka për reformimin rrënjësor të drejtësisë. Imazhi thellësisht negativ që ky sektor i shtetit ka në sytë e opinionit publik, i shkaktuar nga një proces shumëvjeçar korruptimi financiar, si dhe keqpërdorimi politik, ka bërë që drejtësia shqiptare të jetë sot vrima e zezë që helmon dhe saboton çdo tentativë të shoqërisë shqiptare për normalitet dhe standard demokratik. Nuk është aspak e tepërt të konsiderohet se momentalisht drejtësia është pushteti që përjeton devijimin dhe shkarjen më të rrezikshme, nga kuadri i rregullave mbi të cilat duhet të ngrihet. Banalizimi i ngjarjeve si 21 janari, nga duart e një drejtësie të zhytur në llumin e korrupsionit financiar e politik, është një ndër provat se nuk mund të qëndrohet më pasivë ndaj degradimit të njërit prej segmenteve më të rëndësishme të shtetit të së drejtës. Përndryshe, “vrasjet në gjueti” janë të destinuara të përsëriten edhe në të ardhmen.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA