Berisha: Gati për betejë. Rama: Nuk do t’ju ngjajmë

15/09/2013 01:10

Rifilloi mëngjesin e së dielës seanca maratonë parlamentare ku po diskutohet për programin e Qeverisë “Rama”.

Kreu i Kuvendit Ilir Meta pati ndërprerë seancën pas mesnate pas 15 orësh të panderprera punimesh, ndersa seanca e sotme pritet të kulmojë me votimin e Qeverise së re.

Në orët e pasdites së shtunës në këtë seance kanë marrë fjalën edhe ish-Kryeministri Sali Berisha që me konsensusin e dy grupeve parlamentare nuk është kushtëzuar në kohën për të folur.

“Në zgjedhjet, të cilat u fituan me premtime antiglobaliste të tipit ‘alla-Papandreu’, në zgjedhje të cilat u përdorën shuma marramendëse të parave të pista, ne demokratët e vendit njohëm rezultatin. Në përputhje me një kod moral të politikës dhashë dorëheqjen, ndonëse dhjetëra mijëra demokratë kërkonin të mos bëja atë gjest. Por një thirrje më eprore se sa zëri i tyre ishte thirrja e dinjitetit njerëzor. Kreu i maxhorancës, i cili është unik në rajon e në botë lexoi pamfletin e urrejtjes ndaj opozitës. Demokrate dhe demokratë, ju e dëgjuat, ai shpalli këtu epokën e rrënimit, epokën tuaj, epokën e Shqipërisë demokratike. Ai krahasoi 22 qershorin, me 22 marsin. Gabohesh ti që mendon se ne jemi të dërrmuar, ne jemi parti e vlerave! Edhe paraardhësit tuaj e kanë menduar një gjë të tillë, por ua kemi faktuar sa të dërrmuar kemi qenë ne. Ne ndërtojmë vlera, ne besojmë në parime. Ne jemi lokomotiva e integrimit të këtij vendi dhe asgjë nuk na pengon ne në rrugën tonë. Kur ky që kryeson sot maxhorancën dhe mendon se çeli epokën e etërve të tij, fuste në mënyrën më të turpshme bilbila-bori në këtë sallë, vetëm për të bllokuar marrëveshjen e stabilizim asociimit dhe asnjë nga trumpexhijtë nuk është sot ministër…Ti vjen sot me një kabinet më të pabesuarin në historinë e vendit, më nepotikun në historinë e vendit. Më thoni se në cilin kabinet, që nga koha e Adil Carcanit ka patur tre ministra nga e njëjta familje. Nëqoftëse u ke marrë votën duke i mashtruar, i bindur të jesh se nuk do të lemë betejë pa zhvilluar për të cuar në piedestal dinjitetin e nëpërkëmbur të qytetarëve shqiptarë. Përgatitu! Beteja është e fortë!”, u shpreh Berisha

Rama: Nuk do t’ju ngjajmë

Pas fjalës së Berishës është përgjigjur Kryeministri i dekretuar Edi Rama, i cili premtoi se me programin e saj qeveria do t’ia ngrejë kokën Shqipërisë.

“Kur ha 1 milion shuplaka, o të vijnë, o mendjet ikin aq larg sa duhen vite për t’i kapur! Jo unë, jo ne, dikush tjetër i njohur si krahu i armatosur me shifra dhe të dhëna të rreme të qeverisë së ikur, INSTAT-i dora vetë, sapo e ka publikuar një dokument shumë interesant për këtë diskutim për programin. Dokumenti thotë se në katër vitet e fundit, varfëria nuk është tkurrur, por është shtrirë më tutje, duke përfshirë nën hijen e saj më shumë familje të zakonshme shqiptare. Ju ikët nga salla pa e dëgjuar paraqitjen time të programit qeverisës, fatmirësisht jo të gjithë dhe gjej këtu rastin t’i falenderoj ata që nuk e ndoqën atë vijë të kërrusur sjelljeje. Ikët duke sharë dhe duke bërtitur dhe vijuat jashtë duke u ankuar para popullit për gjuhën e urrejtjes dhe të dhunës së opozitës. Por përmbajtja e fjalëve që dëgjuar dhe do të dëgjoni nga unë në këtë sallë nuk ka të bëjë as më urrejtjen ndaj jush, as me dhunën mbi ju. Përmbajtja e fjalëve të mia është e vërteta ime mbi të shkuarën, të sotmen dhe të ardhmen. Unë nuk ju jam zgjedhur që t’ju pëlqej juve kur flas, as që idetë e mia të gëzojnë medoemos pëlqimin tuaj dhe as qeveria që unë drejtoj t’i ngjajë qeverisë tuaj. Mos o Zot! Sa më parë ta fshini nga mendja iluzionin se unë do t’ju kursej në këtë foltore për të pabërat e lebetitshme që ka bërë kjo qeverisja juaj, aq më të lehtë do ta keni të ngjiteni në nivelin e minimumit jetik të mirësjelljes së njerëzve këtu në mes të Europës. Ne jemi këtu për t’i ngritur kokën Shqipërisë, jo për të gjetur kokën tuaj dhe do t’ia ngremë kokën Shqipërisë me programin tonë”, tha Rama.



Balla: Abuzimi me mediat

Deputeti socialist Taulant Balla në fjalën e tij përmendi reklamat klienteliste dhe KRT-në.
“Nuk mund të lemë jashtë vëmendjes lidhjen tuaj me mediat në këto 8 vjet. Autoriteti i mediave audivizive dhe RTSH-ja janë shembujt më flagrantë të moszbatimit të ligjit nën qeverisjen e PD-së. Sipas ligjit të dyja këto institucione duhet të ishin të balancuara, të pavarura. Personazhe qesharakë si Endira Bushati në krye të AMA-s apo ai Kopani i TVSH-së do të mbeten referenca të standardeve të papranueshme që nuk duhen përsëritur më kurrë. Reklamat qeveritare kanë qenë gjithmonë korruptive dhe nuk u ndanë asnjëherë në bazë të vlerës së tregut, por në bazë të lidhjeve klienteliste dhe korruptive që ka qeveria me kanale televizive dhe radiofonike dhe gazeta pranë saj. Grupi mediatik pranë Qeverisë ia shiti mbështetjen qeverisë së shkarkuar për 18 milionë euro”, tha Balla

Tahiri: Lufta ndaj krimit, emergjencë kombëtare

Ministri i ri i Brendshëm, Sajmir Tahiri e cilësoi si emergjencë
kombëtare luftën kundër krimit dhe mafies në vend. Gjatë fjalës së tij
teksa shpalosi platformën e qeverisë së re për kthimin në vend të rendit
dhe sigurisë, Tahiri theksoi se një nga sipërmarrjet e qeverisë së re
do të jetë krijimi i “Byrosë Kombëtare Kundër Krimit”.

“Jemi të angazhuar të kthejmë policinë në shet. Ndaj për këtë arsye
do të krijojmë “Byronë Kombëtare Kundër Krimit”. Lufta më e vështirë
mbetet krimi ekonomik, pasi bëhet fjalë për një sistem të organizuar që
rrezikon vendimmarrjen e institucioneve më të larta. Luftën kundër
krimit dhe mafies do e cilësojmë si emergjencë kombëtare. Jemi vendosu
të rikthejmë besimin tek policia e shtetit. Ne do marrim masa radikale
ndaj armëmbajtjes duke e cilësuar armikun numër një. Do vendosim
barazinë para ligjit dhe do të shembim murin e të paprekshmëve dhe të të
‘fortëve’. Ne duhet të arrijmë në një objektiv që të mos ketë më të
paprekshëm”, theksoi Tahiri.

Noka: Tahiri, ministër gjysmak, mik i bandave kriminale

Ish-ministri i Brendshëm, Flamur Noka gjatë fjalës së mbajtur në
kuvend iu referua veçanërisht pasardhësit të tij Sajmir Tahiri i cili
sipas tij, është një person gjysmak, hajdut dhe ‘mik’ i bandave, teksa i
ka kujtuar edhe arrestimin e të atit të Tahirit për kontrabandë
ilaçesh.

“Zoti Rama i shndërrove nga ministra në drejtorë Bashkie, pasi je i
bindur se do ju shërbejnë ju dhe klientelës tënde. Qytetarët kanë nevojë
për projekte konkrete zhvillimi dhe integrimi. Ju zotëri, ju u servirni
shqiptarëve si ministër të Brendshëm, një individ gjysmak, që pasi nuk
mbaroi shkollën në Itali, u kthye në Shkodër, e pasi nuk e mbaroi as
atje, gjeti një zgjidhje në Tiranë për të marrë diplomë. Ai është një
individ depresiv, një njeri që kohë më parë ka qenë kontingjent i
policisë dhe hajdut kasetofonësh dhe shëtiste me bandën e Shullazit,
madje edhe me skaf. Babai i tij ka qenë objekt i punës së Policisë së
Shtetit, kur e ëma ka qenë objekt për evazion fiskal. Ky është poshtërim
që i bëhet Policisë së Shtetit, ofendim që i bëhet shqiptarëve që të
lanë ty si gjysmagjel se ai që është gjel është ulur sipër teje”, tha
Noka.

 

Braçe: Ka nevojë kombëtare për ta shembur këtë republikë të korruptuar

Deputeti socialit i qarkut Fier, Erjon Braçe, nga foltorja e Kuvendit ka akuzuar ish-kryeministrin Sali Berisha se ngriti republikën e korrupsionit dhe Rama do ketë përballë mafian si kundërshtar. Ai garantoi se qeveria e re do të zhbëjë korrupsionin, ndërsa shtoi se duhet të prishen kontratat koncesionare abuzive të firmosura nga qeveria “Berisha”, pasi sipas tij, kostoja më e mirë është prishja e kontratave, se sa të lejohet që pasuritë e vendit të bien në dorë të mafies.

“Dy muajt e fundit qeveria e mundur përhap keqkuptime. Ju populli u gënjyet nga ne. Angazhimet tona do sjellin fatkeqësi dhe recension u thonë. Ne PS paskemi qenë në pushtet dhe PD kanë qenë 8 vite në opozitë dhe ligjërohet madje dhe për skenar grek, duke harruar pjesën e ndëshkimit. E vërteta, ne kemi qenë 8 vite në opozitë dhe PD në pushtet, ende nuk kemi nisur punë në institucionet. Do na duhet të përballemi, me shtetin privat që këta ndërtuan. Kryeministri dhe ministri bën privatin ndaj çdo sipërmarrësi. Ky është korrupsioni si mënyrë jetese. Këtë do bëjmë ne, do shembin atdheun e kryeministrit dhe do të ndërtojmë atdheun tuaj. Ka nevojë kombëtare për ta shembur këtë republikë të korruptuar. Ekonominë për vete që u vendos për vete në Shqipëri, që detyroi monopolet natyrore si Lotaria Kombëtare CEZ, Armo, marrëveshje në naftë, gaz, kontrata për shfrytëzim pyjesh mineralesh dhe kullotash. Kostot i paguat ju, fitimet i morën ata. Së treti shërbimet e monipolizura që këta ndërtuan. Ka nevojë kombëtare për të zhbërë monopolet. Së katërti ekonomia nën të zezë që këta ndërtuan. 100 kompani të mëdha punojnë kështu dhe kishin firmën e ekspertes së familjes së kryeministrit. Krimin e organizuar që rritën në ekonomi, që ka hyrë fort në pastrimin e parave. Pjesa e kontratave qeveria është nën agresion. Ka nevojë kombëtare për të zhbërë krimin në ekonomi. Kryeministër ju keni aleat të madh popullit dhe kundërshtar të madh mafian”, u shpreh ai.

Bregu: Mbi Ramën do rëndojë bllokimi i Shqipërisë në rrugën drejt BE

Ish-ministrja e Integrimit, deputetja demokrate Majlinda Bregu është ndalur tek kapitulli për integrimin dhe ka akuzuar qeverinë “Rama” se në programin e saj nuk ka asnjë datë për projektet e integrimit, por vetëm fjalë.

“Nuk ka asnjë datë për integrimin, përveç fjalëve, asnjë shifër, asnjë të dhënë. Nuk janë afatet kohore për kapjen e trenit të Europës. Rama e ndali këtë tren për 3 vjet. Mbi ty zoti kryeministër do rëndojë bllokimi i Shqipërisë në rrugën drejt BE. Marrja e statusit dhe fillimi i bisedimeve, këtë e kuptova që prisni të ngrini gota shampanje që do ta keni dhuratë, sepse detyrimet janë plotësuar për marrjen e statusit. Nuk e thoni kur do arrihet kjo? Keni frikë mos del ndonjë problematikë në lidhje me korrupsionin dhe grupin e organizuar kriminal në grupin tuaj?

Po ju denoncoj publikisht sot se gjoba juaj ndaj qytetarëve po shtohet, duke i vjedhur minimumi 200 milionë euro të tjera ekspertizë. O pranoni se keni vjedhur, ose bëhuni shtetarë dhe pranoni se do vijoni të qeverisni me dokumentet solidë të qeverisë paraardhëse. Sistemi tashmë është i ngritur dhe thjesht duhet të vijohet, por jo të krijohet nga e para. Si do të bëhet punësimi i administratës publike, sipas zbatimit të ligjit të statusit të nënpunësit civil apo konkurseve partiake?Do të keni mundësinë që kur të shkoni në Bruksel të njiheni me një dokument që tregon përmirësime të dukshme krahasuar me një vit më parë. Sigurisht që ky program nuk ka as 100 ditë, as 300, as buxhet, as kosto. Meqë të hënën Rama niset për Bruksel, rrugën do ta gjejë të shtruar, po aq të shtruar sa të gjitha rrugët e vendit, ku ti shkoje në çdo fshat për të premtuar e për të mashtruar”, tha Bregu.

Patozi: Qeveria nuk ka program, por një hartim të shkruar nxitimthi

Ish- kreu i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, pasi ka renditur arritjet e qeverisjes së mëparshme, ka  sulmuar përbërjen e kabinetit qeveritar dhe programin e paraqitur prej tyre. “Qeveria nuk ka program, por një hartim të shkruar nxitimthi, diçka më shumë se dosja e Rexhep Mejdanit që u bë anekdodë. Rama nuk ka ndërmend të bëjë asgjë serioze për shtetin sa të jetë në qeveri. Nëse program nuk kishte, Rama ishte i qartë në një pikë në qasjen armiqësore ndaj opozitës. Nuk humbi asnjë sekond por iu vërsul në shpinë me një tërbim të pashoq. Jemi këtu për ti treguar se nuk na lëviz fare qerpiku prej kësaj qeverie ende të pamiratuar. Pas meje ju shikoni një qeveri me dy kate, ose më mirë me shtesë kati e cila pret të legalizohet falas sepse kështu ka premtuar kryeministri. As vend për sekretari nuk ka lënë Me një kabinet të fryrë me 6ministra më shumë se qeveria e kaluar, dhe shtimi i dikastereve si shtesa kati. Të mos mjaftonte të gjithë ministrat pritet të zëvendësohen me nga 20 deputetë duke e bërë më të kushtueshmin në të gjithë vitet. Kanë përtuar të marrin lapsin por janë dhjetëra milionë herë që dëmtojnë xhepat e shqiptarëve. Qeveria ka në përbërje njerëzit me më pak eksperiencë në administrim. Asnjëri prej tyre nuk ka asgjë për të thënë dhe nuk do flasë sepse qeveria ka vendosur kodin e heshtjes. Shqiptarët do të provojnë të qeveriset nga një kabinet privat dhe kjo është këmbanë alarmi që bie mbi ata që kanë veshë. Kemi provuar të gjithë llojet e qeverive, pro sa do të këqija që kanë qenë kanë përfaqësuar me aq sa kanë mundur, por kjo qeveri nuk mbështetet në asnjë kriter politik përfaqësimin, por e ka shkruar në ballë se është ndërmarrje private apo shpk e Edi Ramës, është kërcënim i madh për shqiptarët. Është kërcënim edhe për PS, pasi edhe atë nuk e përfaqëson, madje kam bindje se kriteri i ministrave jo deputetë është shpikur për të zgjeruar këtë dimension privat pavarësisht se kabineti ka lindur si kërcënimi madh kombëtar kjo është qeveria e Shqipërisë. Kjo qeveri as sot as në ditën e grahmës së vetë të fundit nuk do të ketë mallkimin e opozitës. Jemi të vendosur të vigjëlojmë. Do denoncojmë çdo aferë korruptive e çdo tentativë për të bërë ndonjë zullum prej saj. Do i tundim të gjithë premtimet e fushatës elektorale por do jemi dhe opozita e alternativave. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe opozitën e saj! Zoti e faltë këtë qeveri sepse as ai vetë se shpëton dot nga dështimi”, u shpreh Patozi.

Majko: Qeveria Rama e pakrahasueshme me “Papandreun”, Berisha na la një “tufe borxhesh”

Për deputetin socialit Pandeli Majko krahasimi që opozita i bën programit të qeverisë “Rama”me atë të Papandreut është i pavend, sepse situata që ka lënë qeveria e mëparshme nuk krahasohet me Greqinë. “Qeveria e re me programin e saj 4-vjeçar është zotuar për zgjidhjen e problemeve, por sigurisht vështirësitë janë të mëdha sepse ndodhemi përpara një “tufe borxhesh”. Të gjitha projektet e mëdha që qeverisja e djathtë nuk i ka përfunduar për mungesë fondesh, si rruga “Durrës-Kukës”, apo “Rruga e Arbërit” që është në një gjendje akoma më të keqe, apo dështimi me privatizimin e “Alpetrolit”, vlen shprehja “nuk dihet ku është dera e ku është dritarja”. Pronarët e vjetër dhe ish-të përndjekurit do kenë një plan të përkushtuar për t’i dhënë zgjidhje në kohë këtij problemi. Lidhur me administratën shtetërore, ka një numër punonjësish në administratë të ndryshëm nga njëri- tjetri nga përgatitja, por që trajtohen njësoj. Qeveria e re ka detyrim ligjor të kthejë në punë ata që kanë një vendim gjyqësor, apo të komisionit civil të cilët janë larguar padrejtësisht nga puna. Ky ristrukturim administrativ do të vijë si pasojë e reformës financiare në vend, prandaj kërkoj që Ministrit të financave Shkëlqim Cani t’i jepet përkrahja e nevojshme dhe më e madhja. Financat e vendit qeveria na i ka lënë, ku mungon vetëm shprehja “të rroni vetë”. Prandaj qeveria e re është një emergjencë për vendin tonë. Si deputet i Tiranës dëshiroj të them se nevojitet ndërhyrje për të shëruar këtë gangrenë sociale. Me lëvizjen e qytetarëve nga zonat rurale drejt qytetit ka krijuar problematika që duhen zgjidhur. Shteti shqiptar nuk po merr ende detyrimet e veta për emigracionin. Sikur të bëjmë gjysmën e asaj që bëjnë vendet e tjera për emigrantët e tyre do të ishte shumë mirë. Qeveria e re që drejton Rama, ka një mandat të qartë për të ndryshuar gjërat”, u shpreh Majko.

Ministrat prezantojnë programet

Fillimisht disa prej ministrave kanë prezantuar programin personalisht dhe iu janë përgjigjur pyetjeve të bëra me shkrim nga deputetët e opozitës. I pari që është përgjigjur ka qenë ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, i cili ka prezantuar politikat e dikasterit të tij për këtë sektor.

“Brenda 100 ditëve territoret spitalore ambulatore t’i çlirojmë nga aktivitetet private. Qëllimi ynë është që shërbimi shëndetësor shtetëror të jetë paguesi i vetëm”, ka deklaruar Beqja. Më pas kanë vijuar ministrat e tjerë, secili me detajet përkatëse.

Edmond Haxhinasto, ministër i Transporteve dhe Infrastrukturës: Do realizojmë të gjitha projektet në infrastrukturë. Prioritet do të jenë investimet për zhvillimin e zonave turistike në jug. Në këtë zonë ka hapësira edhe për një transport ajror.

Edmond Panariti, ministër i Bujqësisë: Politikat e bujqësisë do të jenë të orientuara për zhvillimin e tregut të brendshëm, në mënyrë që puna e fermerëve të mos shkojë kot. Zona e Myzeqesë është hambari i Shqipërisë, ku kemi prodhimin më intensiv bujqësor dhe subvencionet nuk do të mungojnë. Ato gjitashtu do të orientohen sipas rezultatit. Cështja e përmbytjeve është një problem kronik dhe investimet për kanalizimet do të jenë prioritet i ministrisë.

Shkëlqim Cani, ministër i Financave: Instituti i Sigurimeve Shoqërore është i dorës së dytë. Ne do gjejmë një zgjidhje që qytetarët të mos rrënohen. Janë me dhjetëra miliardë lekë detyrime të prapambetura të lëna nga qeveria e ikur. Situata e buxhetit të shtetit është e rëndë, por jo e pashpresë. Me Bankën Botërore dhe FMN-në do bëjmë një skanim të borxheve dhe do punohet që të vendosen kritere dhe kushte për shlyerjen e këtyre detyrimeve.

Damian Gjiknuri, ministër i Energjitikës: Procesi i privatizimeve rezultoi i dështuar dhe qeveria do t’i kushtojë vëmendje të gjitha pasojave që kanë ardhur nga ky dështim. Angazhohem për kontrollin e procesit të privatizimit të kompanisë “Albpetrol”, që rezultoi gjithashtu i dështuar. Në programin e PS është bërë i qartë edhe adresimi i problemeve të minatorëve, për të gjetur për ta zgjidhjen e duhur për pensionet dhe kontributet shëndetësore.

Eglantina Gjermeni, ministre e Turizmit dhe Zhvillimit Urban: Qeveria do të vendosë një moratorium për ndalimin e ndërtimeve pa leje në Berat dhe Krujë, për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore. Gjithashtu do të realizojmë fushata turistike brenda dhe jashtë vendit për të nxitur turistët e huaj. Të promovojmë vlerat tradicionale të Beratit duke rritur cilësinë e shërbimit aty.

Top Channel