Homazh te varri i Rugovës

13/09/2013 00:00

Vizita e kryeministrit Edi Rama në Kosovë vijoi pasditen e së premtes me homazhe në Prekaz dhe në varrin e ish-presidentit Rugova në Prishtinë, e po ashtu takime me krerët e partive parlamentare.

Gjatë homazheve te varri i Rugovës, Rama nuk replikoi kritikat e partisë së ish-presidentit të ndjerë për fjalimin në parlament, por vlerësoi figurën e tij.

“Ju falemnderit që jeni këtu, në këtë vend ku prehet njeriu pa të cilin, Kosova që kemi sot nuk do të ishte bërë realitet, sikurse nuk do ishte bërë edhe pa gjithë protagonistët e tjerë, ata që dhanë jetën për të dhe ata që vazhdojnë të punojnë pa u lodhur për ndërtimin e saj”, deklaroi Edi Rama.

Rama, vizitë në Prekaz
Nderon kujtimin e heroit Adem Jashari dhe luftëtarëve të UÇK-së

Më herët, Rama vizitoi Prekazin, ku nderoi kujtimin e Adem Jasharit dhe, në kullën e familjes, u prit nga Murat Jashari.

“Këtu ne gjejmë frymëzimin dhe motivet për të bashkëpunuar shumë më ngushtë dhe për të ecur shumë më shpejt për ta rilindur Shqipërinë dhe, së bashku me Kosovën, për t’u bashkuar në një hapësirë të përbashkët shqiptarësh në familjen europiane”, tha kryeministri Rama.

Vizita e Ramës në Kosovë
Takon Haradinajn, Pacollin, Kurtin. Asnjë takim me LDK-në

Më tej, kryeministri vizitoi selinë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ku shprehu gëzimin që, kësaj here, gjente atje të zotin e shtëpisë, Ramush Haradinaj.

“Shpreh të plotë kënaqësinë për këtë vizitë në këtë seli, ku gjeta të gjithë miqtë, por mbi të gjitha atë që këtu quhet me të drejtë i zoti i shtëpisë, sepse herën e kaluar nuk patëm mundësi që të takoheshim, ndaj dhe ky është një zhvillim shumë pozitiv, jo vetëm për Aleancën, por për Kosovën dhe për të gjithë shqiptarët”, u shpreh Edi Rama.

“Patëm këtë mundësi për të biseduar për të gjitha ato zhvillime, që janë në të mirën e popullit në të dyja anët, në Kosovë dhe Shqipëri. Ishte një takim i dobishëm, ku mundëm të bisedonim rreth shumë temave për të ardhmen. Falemnderit zoti Kryeministër”, mbylli fjalën e tij Ramush Haradinaj.

Takimi i radhës ishte me kryetarin e Aleancës për Kosovën e Re, Behxhet Pacolli, ku u diskutuan për më shumë mundësi bashkëpunimi.

“Tashmë ka ardhur dita dhe ideja është bërë shumë e fuqishme, që të bashkëpunojmë dhe të veprojmë së bashku”, deklaroi Behxhet Pacolli.

Pas takimit me kryetarin e partisë Liberale serbe, Sllobodan Petroviç, Rama vazhdoi në Lëvizjen Vetëvendosje, ku zhvilloi një takim me kryetarin Albin Kurti. Pavarësisht ndasive, në mënyrën si e konceptojnë bashkimin kombëtar, palët premtuan bashkëpunim në fusha të ndryshme, ku siç u tha janë disa pika të përbashkëta, që përputhen idetë dhe mund të punohet.

“Është kënaqësi që këtë ditë ta mbyll me një mik, me të cilin nuk kemi domosdoshmërinë të jemi dakord për të qenë miq, dhe jam i bindur se ka zona të bashkëbisedimit ku ka përputhshmëri, posaçërisht kur vjen puna te domosdoshmëria për një model ekonomik, që të orientohet nga prodhimi, për një hapësirë shqiptare ku të ketë sa më shumë liri dhe sa më shumë konkurrencë, në funksion të një zhvillimi me sa më shumë akses për qytetarët, pavarësisht nëse jetojnë këtej apo andej kufirit. Aty te kufiri, pastaj, është momenti ku biseda shkon në dy drejtime të ndryshme, por unë mund të them që të ikim me kënaqësinë, që të paktën nuk e kam marrë dot kundërshtimin, për faktin që kufiri është i tejkalueshëm në rast se ne kemi një imagjinatë dhe aftësi të mjaftueshme për të konceptuar projektet e zhvillimit”, tha Edi Rama.

“Ne falënderojmë shumë zotin Kryeministër të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, që ka shprehur interesimin dhe gatishmërinë për t’u takuar me ne dhe të bashkëbisedojmë hapur seriozisht dhe sinqerisht për bashkëpunimin midis shqiptarëve të të dyja shteteve, në mënyrë që të jemi sa më shumë bashkë, sepse aq më të fuqishëm do të jemi në çdo aspekt, si politiko-institucional, po ashtu dhe socio-ekonomik”, tha Albin Kurti.

Në serinë e takimeve me partitë politike mungoi një e tillë me zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, pasi – siç mësoi Top Channel gjatë ditës – lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ndodhej jashtë vendit, ndërsa me të njëjtin motivacion nuk u zhvillua dhe një takim me nënkryetaren, Teuta Sahatçia.

Vizita në Kosovë, Rama koment në Twitter

Në fund të ditës, si gjithnjë Edi Rama nuk ka harruar të komentojë në Twitter mbi ngjarjen e ditës, vizitën e tij në Kosovë.

Ai e konsideroi të premten “një ditë të paharrueshme në Kosovë”, duke falënderuar gjithashtu të gjithë ata që takoi në anën tjetër të kufirit.

“Falemnderit mikpritësve për mjedisin familjar që na krijuan”, shkroi Rama në Twitter, duke vijuar më tej me dëshirën e tij për të ardhmen: “Jam i bindur se do të bëjmë gjëra të mira”.

Top Channel