“Kosova vazhdon të shënojë rritje ekonomike, më dinamike se vendet e
rajonit. Por kjo rritje nuk është e mjaftueshme për zvogëlimin e
varfërisë dhe papunësisë”.

Kështu thotë shefi i zyrës së Bankës Botërore në Kosovë, Jan Peter Olters. Në një intervistë ekskluzive për Radio Kosovën, ai thekson se qëndrimi i Bankës Botërore është se nevojitet një fokus në strategjinë afatgjate të rritjes, e cila ngërthen disa elemente të rëndësishme.

“Një ndër to është që të angazhohemi për të ruajtur qëndrueshmërinë makro-fiskale, qëndrueshmërinë financiare, respektivisht të ruajmë ato sfera që kanë qenë të forta deri më tani, por të fokusohemi edhe në fushat që paraqesin pengesë për rritje, siç është ambienti për të bërë biznes, ligjet, infrastruktura, institucionet. Nëse këto dy fusha harmonizohen dhe mundësojnë aktivizimin e sektorit privat, atëherë Kosovës i jepet një mundësi e mirë për të përshpejtuar rritjen në periudhë afatmesme dhe afatgjatë”, ka deklaruar Olters.

Olters thotë se privatizimi i Postë-Telekomit të Kosovës ndodhet në një fazë kritike dhe përmbyllja me sukses e procesit, sipas tij, nuk është e sigurt. Nëse nuk finalizohet shitja e kësaj kompanie publike, Olters i kujton qeverisë marrëveshjen me FMN-në sa i përket ndërtimit të autostradës drejt Shkupit.

“Në kontekst të programit me FMN-në, Kosova ka pranuar detyrime shumë specifike, që lidhin privatizimin e telekomit, ose më indirekt bilancin bankar të qeverisë me fillimin e ndërtimit të Korridorit 6 drejt Maqedonisë. Pra, është arritur pajtueshmëria për një politikë të qartë dhe FMN-ja, dhe më indirekt BB-ja, duan të sigurohen se ajo politikë qëndron brenda kornizës së saj”, ka theksuar zyrtari.

Duke folur për fondin e veçantë për veriun e Kosovës, shefi i Bankës Botërore në Kosovë, Jan Peter Olters thotë se do të jetë në rregull për aq kohë sa do të pasqyrohet në kornizën buxhetore.

“Në procesin e krijimit të institucioneve, në kuadrin e institucioneve vendore, mendoj se financat po ashtu duhet të integrohen deri në masën që institucionet e vendit të mos financohen nga një fond ekstra-buxhetor. Duhet të ketë një lidhje në mes të vijave të caktuara të të ardhurave dhe shpenzimeve dhe kjo të bëhet përmes një fondi të veçantë për këto komuna. Ne mendojmë se është në rregull për aq kohë sa pasqyrohet në buxhet dhe kornizën fiskale”, ka shtuar Olters.

Olters thotë më tej se Kosova duhet të vazhdojë të ruajë qëndrueshmërinë makro-financiare dhe të fokusohet më shumë në përshpejtimin e rritjes ekonomike. Ndërkohë, ai shprehet optimist se këtë vit do të përmirësohet edhe renditja e Kosovës në raportin e Bankës Botërore të “Të bërit Biznes”, falë reformave.

Top Channel