Grupi parlamentar i Partisë Demokratike zhvilloi një takim të papritur, menjëherë pasi kryetari i ri i grupit parlamentar, Edi Paloka, njoftoi se PS ka refuzuar në mbledhjen e konferencës së kryetarëve për t’i dhënë më shumë kohë opozitës, për t’u përgatitur për debatin parlamentar rreth programit të qeverisë së re.

Ky debat është parashikuar të nisë paraditen e së mërkurës, por opozita thotë se ajo nuk ka asnjë kopje të këtij programi, mbi të cilin të mund të debatojë.

“Çdo gjë që u paraqit sot ishte e vjetër. Unë do të bisedoj edhe njëherë me kryetarin e Parlamentit, t’i bëj të qartë vendimin e grupit se është absolutisht e papranueshme një gjë e tillë dhe në rast se zoti Ruçi do të vazhdojë me qëndrimin e tij arrogant, sepse dua ta theksoj këtë, e tha troç ‘nuk ju kemi thirrur për t’iu pyetur, jeni këtu për të caktuar orarin, për gjë tjetër nuk ju pyesim’. Pra, në qoftë se do të vazhdohet me këtë qëndrim, atëherë edhe ne do të jemi gati për të marrë çdo vendim, edhe më ekstremin”, tha Paloka.

Masa më ekstreme, që opozita mund të ndërmarrë, është bojkoti i parlamentit, një masë që nuk është përjashtuar në diskutimin me dyer të mbyllura të grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Në mënyrë që të marrin një vendim përfundimtar, demokratët presin ndërhyrjen e kryetarit të ri të Kuvendit, Ilir Meta.

“Sot janë të pagatshëm dhe i mohojnë opozitës kohën më minimale, që ka qenë praktikë në çdo legjislaturë për t’u njohur me programin e qeverisë, i cili deri në këto momente mbetet një mister i madh. I bëj thirrje kryetarit të ri të Kuvendit, t’i qëndrojë besnik fjalëve që sapo tha, duke i dhënë kohën e nevojshme parlamentit dhe opozitës për t’u njohur me programin dhe për të përgatitur një debat dinjitoz dhe transparent mbi programin e paraqitur. Në të kundërt, kjo situatë është e papranueshme dhe ne do të marrim të gjitha masat, që na takojnë”, theksoi Basha.

Duke shpresuar, që parlamenti të mos ketë një fillim të mbrapshtë, zoti Basha deklaroi në mbledhjen e grupit se, për Partinë Demokratike është e papranueshme tentativa e mazhorancës për të kthyer në një maskaradë debatin parlamentar rreth programit të qeverisë, ndërsa opozitën në perde të një mazhorance të kompleksuar nga premtimet e saj mashtruese.

Basha mbledh aleatët e PD
“Mazhoranca, mungesë serioziteti. Fillimi i një shenje të keqe”

“Sot, opozita del me një qëndrim të unifikuar, të cilin duam t’ua bëjmë të ditur qytetarëve shqiptarë dhe që ka të bëjë me një nga interesat më themelore dhe të rëndësishme të çdo demokracie funksionale. Interesin për transparencë dhe llogaridhënie në raport me pushtetin e zgjedhur. Sjellja arrogante dhe konfliktuale e përfaqësuesve të mazhorancës gjatë paradites, refuzimi për të kryer detyrimin e tyre në raport me Kushtetutën, në raport me qytetarët shqiptarë dhe virtytet themelore të demokracisë, transparencën dhe llogaridhënien parlamentare, është një problem i çdo qytetari shqiptar”, deklaroi Basha.

Top Channel