Prej disa kohësh, gjuetia e paligjshme është një shqetësim për Inspektoriatin e Peshkimit në Vlorë, po ashtu edhe për ata, të cilët prej vitesh kanë investuar si dhe janë peshkatarë të mirëfilltë.

Kamera e Top Channel udhëtoi drejt zonës së njohur si Lumi i Kripur, i cili është një lumë prej 6 kilometrash.

Fenomeni që vihet re lidhet me rrethimin e lumit të Kripur nga peshkatarët e zonës, të cilët jashtë sezonit të gjuetisë tentojnë të kapin ngjalën e hollë dhe lloje të ndryshme peshku, paçka se në këtë kohë gjuetia është kategorikisht e ndaluar.

Një nga personat, që prej më shumë se 18 vitesh punojnë në këtë lumë, duke kryer aktivitet të licencuar, shprehet i indinjuar për mungesën e vëmendjes nga Inspektoriati i Peshkimit, si dhe nga strukturat e tjera, të cilat duhet të ndërhyjnë për moslejimin e gjuetisë në këtë sezon, si dhe të atyre që janë të pa autorizuar dhe pa licencë.

“Shqetësimi është se kemi të bëjmë me gjueti të paligjshme ndaj ngjalës së hollë, peshkut të hollë te zonat tona, që ne i konsiderojmë të mbrojtura. Ne jemi ankuar tek Inspektoriati i Peshkimit, kanë ardhur dhe kanë verifikuar personin në fjalë, që ne kemi raportuar, i kanë lënë afat, por ai nuk ka paraqitur dokumentacion. Jemi ankuar në policinë e shtetit, kemi bërë kallëzim penal për gjueti të paligjshme dhe shkatërrim prone, por nuk na kanë ardhur. Bëmë sërish kallëzim, deri sa tentuan të na vrisnin në vendin e punës, kryesisht vetëm prej gjuetisë së paligjshme”, tha Viktor Hyso.

Ndërkohë, inspektorët e peshkimit të zonës shprehen se janë në djeni të kësaj situate, që lidhet me gjuetinë e paligjshme, por mundësitë për të ndërhyrë janë të pakta, pasi mungon baza logjistike. Megjithatë, pohojnë ata, në ditët në vazhdim do të merren masa për heqjen e të gjitha paisjeve të peshkimit, të atyre personave, që kryejnë gjueti të paligjshme.

Top Channel