Liderët dhe përfaqësuesit e Australisë, Kanadasë, Francës, Italisë, Japonisë, Republikës së Koresë, Arabisë Saudite, Spanjës, Turqisë, Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës japin këtë deklaratë të përbashkët, në përfundim të samitit të grupit të 20 liderëve botërorë, në Shën Pjeterburg të Rusisë.
Norma ndërkombëtare kundër përdorimit të armëve kimike është vendosur prej një kohe të gjatë dhe universale. Përdorimi i armëve kimike në ndonjë vend zvogëlon sigurinë e njerëzimit kudo në botë. Nëse lihet i pasfiduar, ai rrit rrezikun për përdorim të mëtejshëm dhe përhapjen e tyre.
Ne dënojmë me forcën më të madhe sulmet e tmerrshme me armë kimike në periferitë e Damaskut, më 21 gusht, të cilat morën jetën e aq shumë njerëzve, grave e fëmijëve. Provat heqin çdo dyshim se përgjegjësia e sulmeve është e qeverisë siriane, pasi modeli i armëve kimike i përket atyre të përdorura nga regjimi.
Ne bëjmë thirrje për një kundërpërgjigje ndërkombëtarë ndaj kësaj shkeljeje të rëndë të ndërgjegjes dhe rregullave botërore, që do të japë një mesazh të qartë se kjo lloj mizorie nuk mund të përsëritet më. Ata që kryejnë këto lloj krimesh duhet të mbajnë përgjegjësi.
Nënshkruesit kanë përkrahur vazhdimisht një Rezolutë të fortë të Këshillit të Sigurisë në OKB, duke i dhënë KS-së përgjegjësitë për të udhëhequr kundërpërgjigjen ndërkombëtare, por kanë parë që Këshilli mbetet i paralizuar, siç ka qenë gjatë këtyre dy viteve e gjysmë. Bota nuk mund të presë për procese të dështuara pa fund, të cilat do të çonin vetëm në përkeqësimin e vuajtjeve në Siri dhe destabilitet të rajonit.
Ne mbështesim përpjekjet e ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera për të përforcuar ndalimin e përdorimit të armëve kimike. Ne angazhohemi të mbështesim përpjekjet afatgjata ndërkombëtare, përfshi edhe ato përmes Kombeve të Bashkuara, për të adresuar sfidën afatgjatë ndaj sigurisë të paraqitur nga stoqet e armëve kimike të Sirisë. Nënshkruesit kanë bërë gjithashtu thirrje ndaj misionit faktmbledhës të OKB-së të prezantojë rezultatet e siguruara sa më shpejt të jetë e mundur, ndërsa Këshilli i Sigurisë duhet të veprojë bazuar mbi to.
Ne dënojmë me forcën më të madhe të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut në Siri, nga të gjitha palët. Më shumë se 100 mijë njerëz janë vrarë në këtë konflikt, më shumë se 2 milionë njerëz janë kthyer në refugjatë, ndërsa afro 5 milionë janë zhvendosur brenda kufinjve. Duke pranuar se konflikti i Sirisë nuk ka zgjidhje ushtarake, ne riafirmojnë angazhimin tonë për të gjetur një zgjidhje paqësore politike, bazuar mbi implementimin e plotë të Komunikatës së Gjenevës 2012. Ne jemi të angazhuar për një zgjidhje paqësore, që do të rezultojë në një Siri të bashkuar, gjithëpërfshirëse dhe demokratike.
Ne kemi kontribuar bujarisht në apelimet e fundit të OKB-së dhe Komunitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC) për ndihmë humanitare dhe do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetje për të zgjidhur nevojat në rritje humanitare në Siri, si dhe adresimin e impaktit të tyre në vendet e rajonit. Ne mirëpresim kontributet e njoftuara në takimin e vendeve dhuruese në përfundim të G20-s. Ne bëjmë thirrje ndaj të gjitha palëve të lejojnë qasjen e sigurt dhe të papenguar të aktorëve humanitarë ndaj njerëzve në nevojë.
Nënshkruesit europianë do të vazhdojnë të angazhohen në promovimin e një pozicioni të përbashkët europian.
Top Channel