Vizitën e parë, sapo të zyrtarizohet si kryeministër, Edi Rama do ta zhvillojë në Kosovë, detaj që u zbulua gjatë takimit me kryeministrin Hashim Thaçi, i cili ka mbërritur në Tiranë në prag të ndërrimit të dy qeverive.
“Të fillojmë menjëherë përgatitjen e një takimi dypalësh, të përbashkët mes dy qeverive, që ne do ta kthejmë në një institucion, për t’i dhënë një shtytje të fortë bashkëpunimit mes nesh, në të gjitha ato fusha që bashkarisht i kemi identifikuar”, u shpreh Rama.
“Kemi rënë dakord, që gjatë muajit nëntor të mbajmë edhe mbledhjen e parë të dy kabineteve qeveritare, të Shqipërisë dhe të Kosovës, në Prizren. Gjithashtu të angazhohemi edhe për festimet e 101-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë”, deklaroi Thaçi.
Kryeministri kosovar uroi Ramën për fitoren dhe i garantoi bashkëpunim të plotë të qeverisë së tij.
Rama ka përshëndetur dhe përgëzuar të gjitha hapat e marra në drejtim të stabilitetit dhe bashkëpunimit në rajon nga qeveria kosovare.
Të njëjtat vlerësime bëri edhe kryeministri në detyrë, Sali Berisha, me të cilin Thaçi mbajti edhe takimin e parë, sapo mbërriti në Tiranë.
“E përgëzova kryeministrin përzemërsisht për procesin në Bruksel, me të cilin po hapin një kapitull të ri në drejtim të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, të marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë, por edhe të atyre midis shqiptarëve dhe serbëve”, deklaroi Berisha.
Ndërsa kryeministri i Kosovës, që i vlerësoi të shkëlqyera marrëdhëniet me kryeministrin në detyrë, gjeti rastin t’i japë Berishës një mesazh:
“Një falenderim i veçantë shkon për kryeministrin Berisha, veçanërisht për ndërtimin e rrugës së Kombit. Ishte inspirim për ne, që ta përmbyllnim sa më shpejt autostradën”, tha Thaçi.
Sali Berisha dhe Hashim Thaçi besojnë se edhe zgjedhjet lokale të 3 nëntorit do të shërbejnë për të çuar përpara bisedimet dypalëshe, duke respektuar verdiktin e të gjitha etnive që jetojnë brenda kufijve të Kosovës.
Takimet e kryeministrit të Kosovës vijuan më tej me kreun e ardhshëm të parlamentit, Ilir Meta, i cili shprehu besimin e plotë në një pikë:
“Me këto vizione europiane do të arrijmë të ecim më shpejt drejt një stadi të ri të marrëdhënies së Shqipërisë dhe Kosovës me Bashkimin Europian”, theksoi Meta.
Ndërsa Thaçi, nga ana e tij, ka falenderuar “mikun e tij” Ilir Meta për pritjen “vëllazërore” dhe ka shprehur vlerësime për kontributin e tij në çlirimin e Kosovës.
“Zoti Meta ka pasur gjithnjë rol ekuilibrues në zhvillimin e Shqipërisë. Presim ardhjen së shpejti të tij në Kosovë. Bashkëpunimi mes dy vendeve do të jetë shumë i ngushtë”, ka thënë Thaçi.
Më pas, Thaçi takoi kryetarin e Bashkisë Tiranë, Lulzim Basha, njëkohësisht edhe kryetar i ri i PD-së, i cili i siguroi kryeministrit kosovar:
“Bashkëpunimi nga Partia Demokratike, edhe në opozitë, nuk do të mungojë, por do të jetë i plotë dhe i gjithanshëm”, tha Basha.
Ndërsa kryeministri kosovar ka falenderuar Bashën për kontributin e tij si ministër i Jashtëm në pavarësinë e Kosovës dhe ka theksuar se pavarësisht pozicionit të PD në opozitë, bashkëpunimi mes tyre nuk do të mungojë.
Duke u kujdesur të theksojë se vizita e tij në Tiranë, në këto ditë të ndërrimit të pushtetit, nuk është zyrtare, por vëllazërore, Hashim Thaçi dhe presidenti i Republikës, Bujar Nishani, vunë theksin te marrëdhëniet gjithmonë e në rritje mes Prishtinës dhe Tiranës në takimin mes tyre.
Sipas një njoftimi për shtyp, gjatë bashkëbisedimit, zoti Nishani ka vënë në dukje se ka mbështetur në vazhdimësi bisedimet Kosovë-Serbi, si dy shtete fqinje të pavarura e sovrane. Ai ka përgëzuar klasën politike shqiptare të Kosovës për një përqasje racionale ndaj pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhje, duke pranuar logon e KQZ-së.
Ndërsa Thaçi ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e gjithanshme të Republikës së Shqipërisë dhe ka nënvizuar vendosmërinë që Kosova të ecë në rrugën e reformave dhe integrimit euroatlantik. Edhe këtu ai ka vlerësuar rolin mbështetës të Shqipërisë si “të pazëvendësueshëm” në procesin e njohjeve, nismave rajonale dhe integrimit të Kosovës.
Pas vizitës në Tiranë, kryeministri Thaçi niset në Bruksel, ku të dielën pasdite pritet të takohet me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiç. Përveç zgjedhjeve të nëntorit, dy homologët do të diskutojnë edhe për çështje që lidhen me telekomunikacionin dhe energjinë elektrike.
Top Channel