Qeveria egjiptiane do të shpërndajë Vëllazërinë Myslimane brenda ditëve në vazhdim, informoi të premten Televizioni Shtetëror.
Një zëdhënës i Ministrisë së Solidaritetit Shoqëror konfirmoi se autoritetet e përkohshme në krye të vendit kanë vendosur që t’i revokojnë partisë më të madhe në vend statusin e një force politike dhe të një organizate joqeveritare.
Njëkohësisht, Vëllazërisë Myslimane do t’i duhet të përgjigjet për akuzën e formimit të grupeve të armatosura, nxitjes së rrëzimit të rendit kushtetues dhe realizimit të aktiviteteve të paligjshme.
Në votimet demokratike të vitit 2012, kandidati i Vëllazërisë Myslimane, Mohammed Morsi, u zgjodh president pasi fitoi shumicën e votave.
Megjithatë, pakënaqësitë ekonomike dhe masat për islamizimin e vazhdueshëm të Egjiptit, një vend laik edhe pse me një shumicë prej 90% muslimanësh, provokuan manifestime masive që motivuan rrëzimin e Morsit pas një viti në pushtet, nga ana e ushtrisë në muajin korrik.
Që prej atëherë, në protestat e dhunshme që përkrahësit e Vëllazërisë kanë realizuar në mbështetje të rikthimit të ish-presidentit, disa qindra egjiptianë kanë humbur jetën.
Shenjat për mundësinë e këtij veprimi ekstrem të Kajros zyrtare ishin dhënë që më parë gjatë javës, kur disa drejtues të Vëllazërisë u dënuan me burgim të përjetshëm për vrasjet e ndodhura gjatë protestave anti-Morsi.
Ish-presidenti, nga ana e tij, mbahet nën mbikqyrjen e forcave ushtarake në një vendndodhje të panjohur.
Një lëvizje islamike 85-vjeçare, Vëllazëria Myslimane u nxorr jashtë ligjit në vitin 1954 nga drejtuesit ushtarakë të kohës dhe ishte ilegale deri në rrëzimin e pushtetit të autoritarit Mubarak, në vitin 2011.
Pas dhënies së urdhërit për shpërjen e organizatës, forcat e rendit janë vënë në alarm, duke pritur mundësinë e revoltave të reja të dhunshme në vendin me 84 milionë banorë të Afrikës Veriore.
Top Channel