Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimin lidhur me rastet e mashtrimit me sasinë e karburantit që subjekte tregtare me pakicë u shesin konsumatorëve.

Pasi i ka kërkuar zyrtarisht Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë të bëjë kallëzim për ndjekje penale ndaj këtyre subjekteve, oficerë të policisë gjyqësore janë paraqitur pranë këtij institucioni, ku kanë marrë dokumentacionin e inspektimit të kryer nga inspektorët e metrologjisë në pikat e karburantit.

Një ditë më parë, Drejtoresha e Përgjithshme e Metrologjisë, Kozeta Mesiti  deklaroi se subjektet që abuzojnë me sasinë e karburantit nuk janë kallëzuar në prokurori pasi këto raste klasifikohen si kundravajtje administrative.

E njëjta përgjigje i është kthyer në datën 2 shtator kërkesës së bërë nga Prokuroria e Tiranës nëse është referuar ndonjë kallëzim për vepra penale dhe nëse po në çfarë periudhe.

Por, mesa duket nuk mendojnë në këtë mënyrë prokuroret e Tiranës, të cilët kanë nisur procedurat për hetimin e çështjes si vepër penale, duke marrë të gjithë dokumentacionin për kontrollet, abuzimet e kapura dhe për shkelësit.

Dy javë më parë, Drejtoria e Metrologjisë deklaroi se ka gjobitur me një vlerë totale prej 10.5 milionë lekësh 14 subjekte, pasi është konstatuar se kanë mashtruar me sasinë e karburantit që u shesin konsumatorëve duke mos bërë publike subjektet, me justifikimin se ligji nuk e lejon.

Pak ditë më parë, Ministria e Ekonomisë deklaroi se ekzistojnë të gjitha hapësirat ligjore për publikimin e tyre ndërsa ishte sërish Drejtoresha e Metrologjisë që këmbëngul se legjislacioni në fuqi e ndalon këtë.

Sipas saj ligji, për Inspektimin në Republikën e Shqipërisë nuk lejon publikimin e të dhënave që lidhen me veprimtarinë tregtare të subjekteve dhe për këtë nevojitet akti normativ i kërkuar nga kryeministri Berisha e që tashmë është hartuar nga Drejtoria e Metrologjisë.

Top Channel