Obama: Siria, në lojë besueshmëria jonë

04/09/2013 18:55

Nga Stokholmi, ku është duke kërkuar mbështetje për ndërhyrjen ushtarake në Siri, Barack Obama deklaroi se “vijën e kuqe” nuk e vendosi ai, por bota.

Sipas presidentit të Shteteve të Bashkuara, nëse sulmi me armë kimike i 21 gushtit nuk merr përgjigje, besueshmeria e Kongresit Amerikan, por edhe ajo e bashkësisë ndërkombëtare do të vihen në pikëpyetje.

“Pikë së pari, vijën e kuqe nuk e vendosa unë. Ishte bota ajo që e vendosi kur qeveritë përfaqesuese të 98% të popullsisë së globit e cilesuan të neveritshëm përdorimin e armëve kimike dhe aprovuan një traktat, i cili e ndalon qoftë edhe për ato vende që janë në luftë. Kongresi e vuri një vijë të kuqe kur e ratifikoi atë traktat; kur pranoi se i ashtuquajturi akt i përgjegjësisë në Siri dhe gjithë çfare ai përmban për tmerret e kryera në këtë vend e meriton një përgjigje. Në lojë këtu nuk është besueshmëria ime, por ajo e komunitetit ndërkombëtar dhe e Kongresit, në një kohë kur ata vetë i kanë mëshuar kaq fort rëndesisë së këtyre normave”, deklaroi Obama.

Komentet, Obama i bëri gjatë konferencës për shtyp, dhënë në Stokholm me kryeministrin e Suedisë, Fredrik Reinfeldt.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë është përpjekur këto ditë të sigurojë mbështetje brenda dhe jashtë vendit për të vepruar kundër Sirisë.

Ai po bën një ndalesë një-ditore në Stockholm, përpara se niset për në Rusi për të marrë pjesë në takimin e G8-ës.

Edhe pse e pranon se një reagim ushtarak nuk do ta zgjidhte luftën civile në Siri, Obama argumenton se ai do të ishte i nevojshëm për të dërguar një mesazh të qartë.

Presidenti vazhdon të shprehet i bindur se do të marrë dritën jeshile të Kongresit për mësymjen.

Komisioni i Marrëdhënieve me Jashtë i Senatit pritet ta votojë shumë shpejt autorizimin e forcës ushtarake në Siri.

Drejtuesit e tij ranë dakort mbrëmjen e së martes vonë për hollësitë e planit, që do t’i hapnin rrugën një sulmi të kufizuar ndaj objektivave ushtarake të Sirisë për 60 ditë.

Presidenti mund ta shtyjë afatin edhe me 30 ditë të tjera, sipas disa kushteve të caktuara. Rezoluta për Sirinë nuk do të autorizonte përdorimin e trupave tokësore.

Ndërkohë, Franca, qeveria e së cilës e ka mbështetur me forcë planin e Amerikës për ndërhyrje në Siri, po zhvillon një seance të jashtëzakonshme mbi këtë çështje në Asamblene Kombetare, ndonëse ligjvënësit nuk pritet të votojnë.

Kryeministri Jean Marc-Ayrault këmbënguli në domosdoshmërinë e ndërmarrjes së këtij veprimi, duke arsyetuar se nuk është opsion të qendrosh duarkryq përpara barbarizmit dhe se është në nderin e Frances e detyrë e saj të veprojë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA